Haradinaj: Zvicra ishte dhe mbeti përkrahëse e jashtëzakonshme në proceset e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës

E publikuar: 01/08/2020 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar institucionet dhe popullin zviceran me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane.

Në rrjetin e tij social Facebook, Haradinaj ka shkruar se me dekada Zvicra ishte strehë e shumë bashkatdhetarëve tanë.

Ky është shkrimi i plotë i Haradinajt:

Me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane, uroj përzemërsisht institucionet dhe popullin zviceran në ditën më të rëndësishme për ta.

Mbi shtatë shekuj shtet, Zvicra është një storie suksesi. Me dekada ishte strehë e shumë bashkatdhetarëve tanë. Të përndjekur nga okupimi, ata gjetën aty lirinë e shprehjes dhe veprimit, në dobi të organizimeve të shumta që edhe ne të jemi të barabartë me popujt e tjerë europian.

Sot, Zvicra është shtëpi e dytë e qindra mijëra shqiptarëve, të cilët me angazhimin e tyre, janë pjesë e pandashme e sukseseve dhe përparimit të saj, qoftë në rrafshin politik, ekonomik, kulturor dhe sportiv.

Padyshim, Zvicra ishte dhe mbeti përkrahëse e jashtëzakonshme, në proceset e krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, aleate e jona e veçantë dhe historike. Urime!RH