Haradinaj: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të vendit

E publikuar: 04/01/2019 09:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë vit nuk është në interes të vendit.

Ai ka thënë se viti 2019 nuk do të jetë i lehtë për Kosovën pasi do të përballet me procesin e dialogut me Serbinë dhe Gjykatën Speciale. Haradinaj ka thënë se partia të cilën e udhëheq, AAK-ja, kurrë nuk ka qenë më e fortë për zgjedhje të reja.

“Si Aleancë besoj se kurrë punët më mirë për zgjedhje nuk i kemi pasur, por nuk e di sa është në interes të vendit shkuarja në zgjedhje të reja në proceset që është Kosova”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka ftuar dy subjektet më të mëdha opozitare, LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje, që të bashkohen në procesin e dialogut, duke thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga ky proces.

“LDK-ja është mirë të vijë në tavolinë. Pra mund të vijë t’i marrë materialet dhe pastaj të shkojë t’i diskutojë ato me strukturat e partisë dhe në fund le të votojë. Nuk ka rrezik të ndodhë diçka që do t’i mbesë në derë, pra ndonjë e keqe. Mosardhja në tavolinë është frikë, është ikje prej përgjegjësisë. Vetëvendosja ka një pozicion tjetër, por edhe ajo si vëzhguese ka mundësi të vijë”, është shprehur Haradinaj.