Haradinaj shkarkon ministrin Teodosijeviq – shkak gjuha e urrejtjes ndaj viktimave të Reçakut

E publikuar: 09/04/2019 13:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar Ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, njofton Klan Kosova.

“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

“Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi. Kjo nuk arsyetohet”.

“Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”.