Haliti: Nisma për ekipin e dialogut duhet të pranohet, refuzimi është gabim

E publikuar: 31/08/2017 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka konsideruar se nisma e presidentit Hashim Thaçi, për ta krijuar një ekip uniteti për dialog me Serbinë, duhet të mbështetet, e jo të refuzohet nga partitë politike.

“Refuzimi është gabim sepse ai është president i vendit, edhe pse dikush mund ta urrejë, kjo kërkesë nuk ka qenë as e PDK-së kur Thaçi ka qenë kryeministër, dhe as sot nuk është kërkesë e PDK-së por ka qenë kërkesë e opozitës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, kjo ide e Thaçit është mbështetur në deklaratat dhe kërkesat e opozitës së legjislaturës së kaluar, andaj edhe duhet të merret parasysh.

“Mendoj që kjo si nismë është një marrje parasysh e atyre deklaratave të opozitës së legjislaturës së kaluar, që duhet të ketë një delegacion gjithëpërfshirës politik në bisedime. Kërkesat kanë qenë të ndryshme, por nuk e di idenë si e ka menduar konkretisht presidenti. Por sidoqoftë, po mendoj që është një deklaratë që do të duhej të jetë e pranueshme nga opozita për të qenë prezente dhe për të qenë bisedimet transparente”.

Haliti më tej, ka thënë se procesi i bisediemve me Serbinë është obligim për të gjitha partitë politike.

“Pra përgjegjësia politike e lidershipti të Kosovës, veçanërisht e presidentit në këto rrethana është që të bëjë ofertë dhe t’i kryejë detyrat e veta. Presidenti është i obliguar t’i kryejë detyrat e veta”, është shprehur ai.

Ndërkohë, ka konsideruar se refuzimi i nismës së Thaçit nga partitë politike për të marrë pjesë në një ekip uniteti për dialog me Serbinë, është veprim i gabueshëm.

“Propozimi është medial, nuk është miratuar në kuvend, dhe nuk është kjo shqyrtuar nga partitë, dhe tani të gjithë sigurisht do të tregojnë me logjikën e refuzimit, jo se nuk duhet të marrin pjesë, por pse e ka propozuar presidenti dhe këtë do ta shihja si gabim”, ka theksuar Haliti.