Greqia kërcënon me bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE

E publikuar: 30/10/2016 21:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Jashtme e Greqisë e ka cilësuar si situatë të papranueshme prishjen e disa shtëpive në Himarë.
Në një deklaratë për mediat të publikuar në faqen zyrtare në internet, Greqia i ka bërë thirrje shtetit shqiptar që ta ndalë prishjen e shtëpive.

“Po ndjekim me shqetësim të madh atë që po ndodh në Himarë, ku informohemi se 19 familjeve të minoritetit grek u është dhënë 5 ditë afat që të largohen nga shtëpitë e tyre pasi do të shemben. Autoritetet shqiptare duhet të veprojnë për të anuluar shembjet e tjera të banesave”, thuhet në deklaratë.

Madje, Ministria e Jashtme Greke ka shkuar deri aty sa ka kërcënuar me bllokim të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, nëse nuk respektohen të drejtat e minoriteve.

“Mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht ajo e minoriteteve, është një pjesë e 5 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë.

Prandaj, në qoftë se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e të gjithë banorëve pavarësisht kombësisë dhe origjinës”, thuhet në deklaratë.