Gratë saudite shumë shpejt do ngasin makinat

E publikuar: 01/06/2018 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pak javë pasi ato do të lejohen zyrtarisht të ngasin makinat për here të parë, gratë në Arabinë Saudite po përgatiten për ditën e madhe. Ndërsa disa gra po bëjnë prova për të mësuar ngarjen e makinës, disa të tjera tashmë janë të gatshme të dalin në rrugë dhe të tregojnë aftësitë e tyre.

Një muaj përpara ditës kur ato ligjërisht mund të ngasin makinat, gratë saudite po bëjnë prova në një panair makinash që ka pikërisht në qendër të vëmendjes shoferët e rinj. Nisreem Suleiman është një prej shofereve të reja në pritje:

“Jam shumë e lumtur dhe dua të shoh modelet e makinave që më përshtaten mua, çmimet dhe variacionet.”

Një mënyrë e të përjetuarit të ngarjes janë edhe simulatorët. Alanood Ayad është jordaneze dhe jeton në Riad.

“E vlerësoj vendimin për t’i lejuar gratë të ngasin makinat dhe bleva makinën time. Sapo të vijë dita, do të dal në rrugë me makinën time.”

Përmirësimi i lëvizjes së grave, duke u dhënë qasje tek transporti vetiak është i mirëpritur thotë sauditja Noora, që mezi po pret ditën që të ngasë makinën.

“Është një hap i mirë për popullin saudit e kryesisht për gratë, që të varen tek vetvetja. Gruaja mund të kryejë punët e veta pa u varur nga dikush tjetër që të ngasë makinën, si vëllai apo babai.”

Në panair pati edhe instruktorë të auto-shkollave për të ofruar mësime bazë mbi rregulloren e qarkullimit. Hala është infermiere.

“Jam shumë e lumtur. Aplikova për patentën e shoferit dhe u ndjeva se kisha arritur diçka.”

Në dukje e qetë, kjo vajzë e re, Lama Al-Sabagh, e ulur në sediljen e pasme, po pret me padurim emocionin e uljes në karrigen e shoferit.

“Është një ndjenjë e mahnitshme, por më e rëndësishmja është kurajo për të mos u frikësuar nga asgjë. Jam shumë e lumtur,”– thotë ajo.

Përmes një dekreti të nënshkruar shtatorin e kaluar, Mbreti Salman dha urdhër që gratë të lejohen të ngasin makinat, duke filluar në muajin qershor. Sipas njoftimeve, kjo lëvizje shton rreth 9 milionë shoferë të tjerë nëpër rrugë dhe i rrit shitjet e makinave në Arabinë Saudite, me rreth 20 përqind në vit.