Gjykata liron nga akuzat për korrupsion deputetin Naser Osmani, dënohet me një vjet burgim Deshishku

E publikuar: 08/02/2019 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Biznsemeni, Agim Deshishku, privatizuesi i fabrikës ‘FAN’, është shpallur fajtor në lidhje me mashtrimet që i ka bërë në lidhje me këtë çështje.

Ai është dënuar me një vjet burgim efektiv, raporton Koha Ditore.

Të gjithë të akuzuarit e tjerë janë liruar nga akuzat, në mesin e tyre edhe deputeti i LDK-së, Naser Osmani.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti gjatë leximit të arsyetimit të aktgjykimit ka thënë se trupi gjykues i përbërë edhe nga gjyqtarët, Shahadije Gerguri e Beqir Kalludra kanë gjetur fajtor vetëm biznesmenin Deshishku.

Veprat për të cilat ai është dënuar janë mashtrim e shmangie nga tatimi.

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani pjesë e kësaj aktakuze ishte në cilësinë e anëtarit të Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP). Pjesë e aktakuzës ishin edhe Bahri Shabani, Melita Ymeraga, Shkëlzen Lluka, Naim Avdiu dhe Adrian Kelmendi që janë ose kanë qenë zyrtarë në AKP dhe biznesmeni Agim Deshishku i cili pati privatizuar fabrikën “FAN”.

Gjykimi për rastin “FAN” është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizimin e vizave. Sipas aktakuzës, Naser Osmani e Bahri Shabani akuzoheshin në bashkëkryerje me persona tjerë zyrtarë dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nuk e kanë përmbushur obligimet në atë mënyrë që ua kanë mundësuar përfitimin e kundërligjshëm pasuror blerësit të Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, Sh.P.K. të pandehurit Agim Deshishku në vlerën rreth 5.400.000.00 euro.

Zyrtarët e tjerë të akuzuar ngarkohen nga Prokuroria Speciale se nuk monitoruan investimet; nuk kanë ndërmarrë masa për zbatimin e kontratës si dhe nuk kanë verifikuar dokumentacionin financiar të dorëzuar nga investitori Deshishku.

Në anën tjetër investitori, Agim Deshishku akuzohet për mashtrim i cili përmes dokumentacionit të rremë i ka lajthitur zyrtarët e AKP-së dhe përmes kësaj i ka shkaktuar këtij institucioni dëm financiar.