Frustrohen radikalët e Sheshelit: Pse Beogradi lejoi që miku i Albin Kurtit Nenad Rikalo të bëhet Ministër

E publikuar: 19/09/2017 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Radikale Serbe (SRS) ka tërhequr vërejtjen sot se pas “vendimit të turpshëm të Beogradit që të mbështesë hyrjen e Listës Serbe në Qeverinë e kriminelit të luftës, Ramush Haradinaj” është veçanërisht ‘skandaloze’ zgjedhja e Nenad Rikallos ministër të Bujqësisë në atë qeveri, raporton agjencia serbe e lajmeve, FoNet.

Në kumtesë, sipas këtij burimi, Radikalët bëjnë me dije se Rikallo, siç e ka pranuar vetë, është mik i liderit të ekstremistit shqiptar Albin Kurti dhe se katër vjet ka qenë anëtar i Bordit të Fondacionit Soros, bashkë me Shpend Ahmetin, Ilir Dedën dhe “intelektualë të tjerë nga Prishtina”.

Nga këto arsye SRS pyet presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë ishte prezantuar si “zëri dhe imazhi i Listës Serbe”, si do të mbrojë Rikallo interesat e popullit serb në Kosovë.

Posaçërisht është e turpshme se si Rikallo është arsyetuar dhe i ka bërë lajka popullatës shqiptare, meqë ai ndaj akuzave se nga fundi i viteve të nëntëdhjeta ka keqtrajtuar shqiptarët, është përgjigjur përmes një komunikate të cilën e ka publikuar në sajtin e ministrisë së tij vetëm në gjuhën shqipe, thekson SRS.

Radikalët pyesin kreun e shtetit të Serbisë se interesat e kujt i mbron Srpska Lista (Lista Serbe) dhe “përfaqësuesit e imponuar të serbëve, si Rikallo”, si dhe a është hyrja në qeverinë e Haradinajt edhe një hap drejt “rrumbullakimit të të ashtuquajturit shtet i Kosovës”, transmeton Koha.net raportimin e FoNet.