Fossil prezantoi orën e parë sportive Android Wear, Q Control

E publikuar: 15/11/2017 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ora më e fundit Android Wear debutoi ditën e sotme dhe këtë herë erdhi nga Fossil.

Fossil Q Control, është ora e parë inteligjente sportive e kompanisë e cila në përbërje ka një sensor GPS dhe një monitor të rrahjeve të zemrës.

Në pamje e ngjashme me Misfit Vapor, Q Control ka një kasë 45 mm e trashë 14 mm. Rripi i orës prej 20 mm mund të ndryshohet.

Sa i takon GPS-së, ai nuk është i integruar po i lidhur me GPS-në e telefonit. Fossil Q Control fuqizohet nga Qualcomm Snapdragon Wear 2100 dhe 4GB memorje të brendshme.

Jetëgjatësia e baterisë së orës do të jetë afërisht 24 orë dhe do tu kushtojë xhepave tuaj 275 dollar.

Grupi Fossil është një prej markave më të shquara të prodhimit të orëve inteligjente Android Wear. Prej kohësh kompania shet orë të tilla nën markat Founder, Marshal dhe Wander.

Sipas firmës analitike IDC, tregu i orëve inteligjente do të rritet nga 71.4 milion në 2017-ën në 161 milion në 2021.

Krahasuar me një vit më parë, tregu i orëve inteligjente është rritur me 60.9% ndërsa grupi Fossil me 217.9%. /PCWorld Albanian