Feronikeli pret kampionin në fuqi, lideri luan në udhëtim te Besa

E publikuar: 07/04/2018 09:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Java e 26-të në elitën e futbollit kosovar do të vazhdojë me dy ndeshje të tjera ditën e shtunë (sot).

Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit kosovar do të jetë në Drenas, ku Feronikeli pret kampionin në fuqi Trepçën ’89.

Vendasit e drejtuar nga Sulejman Starova nuk arritën më shumë se një barazim 2-2 me Llapin javën e kaluar.

Kësisoj tani mendojnë për tri pikët që të mbesin me shpresa për titullin e kampionit.

Ndërkohë kampioni në fuqi në ndeshjen e fundit arriti fitore minimale 1-0 ndaj Drenicës.

Pas 25 javëve në Superligë, si Feronikeli ashtu edhe 89-shi kanë pikë të barabarta nga 39.

Takimin në Drenas do ta drejtojë Tefik Maloku me ndihmësit Benon Këpuska dhe Alban Ejupi.

Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së shtunë do të zhvillohet në qytetin e Pejës.

Besa e cila po mundohet t’i ikë rënies direkte do të jetë nikoqire e liderit aktual Dritës nga Gjilani.

Dueli i këtyre dy skuadrave pritet të jetë tejet interesante, pasi në dy përballjet e mëparshme këtë edicion të dyja skuadrat kanë nga një fitore me rezultat identik 2-0.

Drita në këtë takim vije pas tri fitoreve radhazi në kampionat, ndërsa Besa pas dy ndeshjeve tejet të mira ku kanë marrë katër pikë. /Telegrafi/