Faton Peci: Sot votoj kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit

E publikuar: 20/06/2020 18:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Faton Peci, ka thënë se kanë mbetur edhe 2 orë deri tek udhëkryqi i madh i LDK-së.

Ai ka bërë të ditur se ka votuar kundër shkarkimit të Vjosa Osmanit, nga pozita e nënkryetares së LDK-së

“Forca kohezive që e mbajti gjallë LDK-në si partinë e parë anti komuniste ishte presidenti Ibrahim Rugova, i cili kultivoi me devotshmëri frymën e tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe”.

“Paradoksalisht, sot ideja e presidentit Rugova po dhunohet nga ide totalitare që i trishtohen mendimit ndryshe. Kjo tendencë mund ta përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci”.

“Është në dërgjegjen e secilit anëtar të LDK-së dhe secilit të përfshirë në struktura drejtuese të vendos se çfarë do të jetë LDK-ja nesër! Një LDK, timoniere dhe bartëse e procesit të konsolidimit të shtetit, apo subjekt që përfundimisht shkëputet nga tradita politike e saj! LDK-ja ka kuptim vetëm si prijetare e demokracisë dhe mendimit ndryshe. Pa këtë atribut, LDK-ja mund të mbetet vetëm e lidhur nyjë dhe në funksion të një grupi të ngushtë, të cilët çdo ditë e më tepër po përfshihen në tendencën e delëdëkizimit! Sot ka nevojë të mbrohet demokracia, të mbrohet LDK-ja dhe të mbrohet konsistenca politike! Sot duhet të mbrohet Kosova, sepse ajo është LDK-ja”.

“Sot votoj kundër shkarkimit, sepse jam kundër diferencimit dhe në mbrojtje të frymës së Rugovës”, ka shkruar Peci në rrjetin social Facebook.