Ekspertët: Ende herët për makinat me autopilot (Video)

E publikuar: 03/07/2016 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për ekspertët, aksidenti tragjik i një makine të prodhuar nga kompania Tesla, shoferi i së cilës mbeti i vrarë në muajin maj, ndërsa ishte duke përdorur funksionin e autopilotit, tregon se industria e automobileve po nxiton pak si shumë me hedhjen e makinave të tilla në treg.

Mary Cummings, profesoreshë në “Duke University”, shprehet: “Ajo që dimë është se frenat e makinës nuk u përdorën kurrë. Kështu që mjeti e goditi kamionin me shpejtësi të plotë, çka dëshmon se shoferi ishte krejtësisht i pavetëdijshëm për rrezikun”.

 

Debati mbi çështjen u rindez pasi firma pohoi se aksidenti ka ndodhur në kohën kur po përdorej piloti automatik, çka nxiti një hetim federal mbi sigurinë e këtyre makinave në Shtetet e Bashkuara. Sipas policisë rrugore atje, kamioni goditi makinën ndërsa kjo po kalonte në një autostradë në Florida më 7 maj. Për rrjedhojë, makina e shtyrë nga goditja u përplas me një shtyllë elektriku.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut njoftoi se po kryen një vlerësim paraprak rreth sistemit autopilot në 25 mijë makina Tesla të Modelit S. Sipas firmës, ky është i pari aksident fatal i verifikuar në kohën që përdorej funksioni autopilot. Ideja e një automjeti me autopilot ka ekzistuar që nga viti 1930, por u deshën 80 vjet që ajo të bëhet më popullore dhe praktike.

Megjithatë, industrisë i mbeten shumë probleme për të zgjidhur para se këto makina mund të ofrohen në treg për përdorim të gjerë.

/ Top Channel