E Shtuna e futbollit në SuperSport

E publikuar: 10/04/2015 19:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këtë fundjavë Barcelona hyn në periudhën më të vështirë të sezonit dhe kalendari i Javës së 31 e përball ekipin blaugrana me një ndër skuadrat më të forta të Primera Division. Pavarësisht vendit të pestë të Seviljes në klasifikim sfida e radhës për ekipin katalanas mbetet tepër e rrezikshme, pasi skuadra andaluziane është e vetmja në këtë edicion që nuk njeh humbje në shtëpi. Ramon Sanchez Pizjuan prej kohësh është shndërruar në një fortesë, me plot 11 fitore e 4 humbje dhe një golaverazh 30-7, sidoqoftë trajneri Luis Enrique e ka të qartë që titulli vendoset pikërisht në ndeshje të tilla. 43-vjecari asturian në mesjavë la pushim emra të tillë si Neymar, Piquet, Iniesta dhe Mathieu por munguan gjithashtu edhe Sergio Busquets për arsye skualifikimi si dhe Jordi Alba për shkak dëmtimi. Tashmë që të gjithë këta futbollistë janë në dispozicion të trajnerit Luis Enrique, që ka kërkuar vlerësim maksimal për kundërshtarin. Kalendari i kësaj periudhe është tepër i ngjeshur me Paris Sg në mesjavë në Champions, Valencian në Camp Nou dhe ekipin parizien sërish në Katalonjë për sfidën e kthimit, takime këto që do të luhen në harkun e vetëm 10 ditëve, kështuqë trajneri asturian me të drejtë insiston që skuadra e tij t’i marrë ndeshjet një e nga një.

Të 45.000 biletat e stadiumit Ramon Sanchez Pizjuan janë shitur me kohë dhe në orën 20:00 ndeshja vë përballë njëri – tjetrit ekipin më të mirë përsa i takimeve në shtëpi dhe skuadrën më të mirë në transfertë, pasi Barca numëron vetëm 2 barazime e 2 humbje në 15 ndeshjet e deritanishme në ligë, larg Camp Nou-t. Trajneri Unai Emery që ndaj Levantes la pushim katër lojtarë të rëndësishëm rikuperon për këtë takim argjentinasin Ever Banega, sidoqoftë 43-vjecari bask ka një meritë të padiskutueshme për forcimin e mbrojtjes, lojën intensive të ekipit, me një futboll të shpejtë dhe vertikal, që kulmon me kundërsulmin e shpejtë, karakteristika këto që e kanë ngjitur Seviljen deri në vendin e pestë, me vetëm 1 pikë më pak se Zona Champions, zonë që për momentin mbyllet nga ekipi i Valencias. Skuadra andaluziane paraqitet në këtë duel me 7 fitore radhazi në të gjithë aktivitetet dhe mbi të gjitha nuk humbet në shtëpi prej plot 31 ndeshjesh zyrtare, që nga 13 marsi i vitit të kaluar kur humbi derbin e zjarrtë me Real Betis në kupat e Evropës, gjithsesi sa për kuriozitet në kampionatin spanjoll disfatën e fundit brenda në Ramon Sanchez Pizjuan Seviljes ia ka shkaktuar pikërisht Barcelona, që më 9 shkurt të edicionit të shkuar nën drejtimin e Tata Martinos fitoi takimin me rezultatin 4-1. Barca ka fituar radhazi gjashtë përballjet e fundit ndërmjet tyre jashtë apo brenda dhe në 15 duelet e fundit ekipi andaluzian krenohet thjesht me 3 barazime, ndërsa triumfi i fundit i bardhekuqve në ndeshjet ndërmjet tyre është regjistruar 8 vjet më parë kur Sevilja e Juande Ramos fitoi 2-1 brenda në Ramon Sanchez Pizjuan ndaj Barcelonës së Frank Rijkaard, me golin e fitores që u shënua nga mbrojtësi i djathtë aktual i skuadrës blaugrana Dani Alves. Më herët në orën 18:00 Atletico e Diego Simeones rrezikon ndjeshëm në stadiumin “La Rosaleda” kur do të masë forcat me Malagën, ekip që sezonin e kaluar vuri në pikëpyetje cështjen e titullit me atë barazim 1-1 në Vicente Calderon, për më tepër që “los colchoneros” pa dyshen Mandzukic – Raul Garcia duhet të mendojnë në mënyrë të pashmangshme edhe për derbin e zjarrtë të Madridit, ndaj Realit mesjavën e ardhshme në Champions. Në orën 16:00 takimin më të lehtë nga skuadrat e kreut do ta ketë pikërisht Reali që do të përballet me një ekip modest si Eibar, sepse ndonëse pa treshen Toni Kroos – James Rodriguez – Gareth Bale, Carlo Ancelotti do të mbështetet përsëri te ylli i ekipit Cristiano Ronaldo, të cilit iu hoq me të drejtë kartoni i fundit i verdhë i takimit me Rayo Vallecano-n.

Në Gjermani në orën 15:30 Bajerni do të presë në Bavari Eintracht-in e Frankfurtit e njëkohësisht do të luhet edhe derbi i dy Borusiave Gladbach – Dortmund, ndërsa takimi përmbyllës i ditës do të zhvillohet në veri ku Wolfsburgu i Dieter Hecking do të vizitojë Hamburgun. Në Serie A Java e 30 nis me dy takime që luhen njëkohësisht në orën 18:00. Juventusi natyrisht me titullin në xhep dhe me mendjen te përballja e ditës së martë me Monacon në Champions do të udhëtojë drejt Parmës, ndërkaq në Stadiumin Marassi Cagliari i Zdenek Zeman do të bëj cmos për të mos dalë pa pikë nga sfida me Genoan, ndërsa ndeshja përmbyllëse e ditës së shtunë do të luhet në Stadiumin Bentegodi ku Interi i Mancinit do të bëj maksimumin që ndaj Veronës të sigurojë fitoren e parë pas plot një muaj e gjysmë, në të gjithë kompeticionet./supersport.al/