Në Durrës nis dezinsektimi i plazhit pas 25 vitesh

E publikuar: 25/05/2015 22:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duket se këtë vit turistët që kanë zgjedhur plazhin e Durrësit për të kaluar pushimet do të gjejnë një mjedis më higjenik se sa në vitet e shkuara.
Një subjekt i specializuar ka nisur nga puna për dezinsektimin e plazhit në të gjithë gjatësinë dhe thellësinë e tij, pak ditë pasi ky proces u bë edhe në Tiranë.

Në Durrës do të dezinsektohen 40 ha sipërfaqe ku përfshihen vija e parë dhe ajo e dytë e plazhit, por edhe zona të tjera brenda në qytet.

Spërkatja me agjentë biologjik do të kryhet në sipërfaqe kanalesh moçalorë, bodrume pallatesh dhe gropa të hapura që mbajnë ujë.

I gjithë procesi në fjalë do të zgjasë 5 muaj dhe ndërhyrja është planifikuar që të realizohet nëpërmjet 12 ndërhyrjeve në zona që tashmë janë përcaktuar si mjaft të ndotura nga insektet.