Drita huazon mbrojtësin e Prishtinës, Përparim Osmani

E publikuar: 10/01/2019 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mbrojtësi i njohur Përparim Osmani është huazuar për gjashtë muaj nga Prishtina te skuadra gjilanase, Drita.

Prishtina dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Përparim Osmani, kanë ndarë rrugët, por vetëm përkohësisht.

Mbrojtësi 30-vjeç, ka kontratë me Prishtinën deri në qershor, por angazhimi i pakët me ekipin e parë ka bërë që futbollisti të kërkoj të lirohet.

Klubi bardhekaltër ia ka plotësuar dëshirën dhe Osmani në pjesën pranverore do të luaj te kampioni aktual i Kosovës, Drita.

“Nuk ka qenë e lehtë, aspak e lehtë, që të largohem nga një klub shumë mirë i organizuar me një kolektiv shembullor. Mirëpo futbolli i ka këto gjëra dhe besoj se nuk ka asnjë të keqe, sepse të dy palët kemi qenë shumë korrekt”.

“Te Prishtina kam kaluar momente jashtëzakonisht të mira dhe jam krenar që kam qenë pjesë e Prishtinës, sidomos në paraqitjet dy vite rresht në Evropa Ligë”.

“E falënderoj udhëheqjen e klubit, stafin e trajnerëve dhe të gjithë bashkëlojtarët për çastet e mira të kaluara për një vit e gjysmë duke iu dëshiruar sukses dhe më në fund të rikthejnë sërish titullin e kampionit në kryeqendër”, ka thënë Përparim Osmani për faqen zyrtare të Prishtinës.

Osmani për Prishtinën ka regjistruar 29 ndeshje zyrtare duke asistuar në dy gola, ndërsa është paraqitur edhe në tre ndeshje ndërkombëtare në Ligën e Evropës dhe ka fituar një trofe, Kupën e Kosovës në sezonin 2017/18. /Telegrafi/