Doktori amerikan për COVID-19, virale në Facebook pas raportimit të medieve shqipe

E publikuar: 07/05/2020 16:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 16 prill ishte publikuar një video në YouTube që sugjeron se coronavirusi është një karrem për të detyruar “vaksina të detyrueshme” dhe mikroçipët te njerëzit.

Videoja është publikuar nga The Next News Network, kanal në YouTube që merret me teori konspirative dhe njihet për publikime të informacioneve të dyshimta dhe të pavërteta. Në vetëm katër ditë, videoja kishte kaluar shifrën e 4 milionë shikimeve.

Kjo video me intervistën e Dr. Rashid Buttar është bërë lajm edhe te ne. Media të ndryshme në gjuhën shqipe kanë raportuar për këtë intervistë, duke e titulluar “Doktori amerikan trondit botën, tregon të vërtetën e coronavirusit: Nuk ka vdekur asnjë, janë manipulime, me vaksinën do na vrasin”. Videoja është bërë virale shpejt edhe te ne, duke arritur mijëra shpërndarje në Facebook.

Buttar vazhdoi të shpërndajë informacione të rreme dhe teori konspirative në gjithë videon. Ai nxit pretendimin e rremë se “askush nuk ka demonstruar ende një vdekje të vetme nga virusi aktual”, shkruan Portalb.

Për më tepër, Buttar pretendoi se numërimi i vdekjeve ishte i fryrë dhe se “studimet tregojnë qartë se nëse keni pasur simptoma të gripit, do të rezultoni pozitiv në test për COVID-19”, që është një tjetër e pavërtetë e përhapur në media sociale.

Buttar gjithashtu i referohet një teori konspirative që përfshin Bill Gates për të pretenduar se vaksinimet në të ardhmen do të monitorohen duke vendosur më shumë çipa te njerëzit për të parë se kush e ka pasur vaksinën, por me qëllim që të digjitalizohen të gjithë.

Ai gjithashtu tha se distanca fizike nuk shërben si mbrojtje, “por përkundrazi shërben për gjurmimin në mënyrë që ata të kuptojnë kush punon dhe kush është disident dhe duhet të zhduket”

Më 24 prill, YouTube ka fshirë videon, pasi ajo kishte arritur afro 7 milionë shikime dhe së paku 1.2 milionë interaktivitet në Facebook, duke e zëvendësuar me mesazhin që thoshte se videoja është hequr pasi ka shkelur udhëzimet e YouTube. Megjithatë, e njëjta video vazhdon të jetë në këtë platformë mediale, sepse është shpërndarë edhe nga kanale të tjera.