Dilemat te fertilizimi i asistuar mjekësor (IVF)

E publikuar: 16/12/2019 22:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me globalizimin e sotëm botëror, gjithnjë e më tepër çifte që vuajnë nga infertiliteti (steriliteti) kërkojnë zgjidhjen e problemit të tyre përtej kufijve të shtetit amë. Shkaqet për këtë janë të shumta: çmimi më i lirë i tretmanit, koha e shkurtër e pritjes për të hyrë në procedurë, moskufizimi i moshës për fertilizim in vitro, mundësia e donacionit të qelizave vezë apo spermës si dhe përzgjedhja e gjinisë së fëmiut qysh para implantimit, procedura këto që edhe sot nuk janë të lejuara apo të rregulluara si duhet me ligj në disa vende të botës.

Andaj, pa marrë parasysh shkaqet, klinikat më të avansuara në botë për fertilizim të asistuar apo IVF, iu mundësojnë pacientëve të vet zgjidhjen e të gjitha problemeve që mund t’i kenë lidhur me shëndetin riprodhues. Dhe, poashtu iu sigurojnë pacientëve informacionet më të sakta dhe më të shpejta lidhur me problemin e tyre si dhe i njoftojnë në afatin më të shkurtër se ku mund ta zgjidhin problemin e tyre.
Në të njejtën kohë pacientët duhet të jenë të informuar se, pa marrë parasysh të arriturat në mjekësi, shkenca moderne, fatkeqësisht, ende nuk ka arritur që të garantojë sukses të procedurës së fertilizimit in vitro (IVF) tek të gjitha çiftet. Dhe se, disa çifte kanë sukses me tentimin e parë të IVF-it, porse disa të tjera nuk ia arrijnë suksesit as edhe për disa herë të kryerjes së kësaj procedure. Kurse suksesi varet nga shumë faktorë, por pikë së pari nga vet organizmi i partnerëve. Andaj, për mossukses nuk duhet fajësuar mjekët apo klinikat, sepse ata e dëshirojnë suksesin njëlloj sikur ju dhe çdo shtatzanie të re i gëzohen po aq sa edhe ju.

Ne jemi të vetëdijshëm se ju si pacientë shpesh herë ballafaqoheni me probleme të natyrës specifike dhe nuk kuptoheni gjithmonë drejt nga stafi mjekësor, e me këtë edhe nuk informoheni apo nuk orientoheni në drejtimin e duhur për zgjidhjen e problemit tuaj apo realizimin e ëndërrës suaj. Veçanerisht jo të gjithë e kuptojnë hallin tuaj kur, për shembull, ju keni arritur në një moshë të caktuar, porse dëshira juaj për një pasardhës nuk është venitur akoma. Madje, ju nuk keni mundur ta ndaloni kohën gjatë rrugëtimit tuaj të pafund për ta gjetur partnerin e jetës suaj. Dhe, fatkeqësisht, shpesh gjatë këtij udhëtimi, bashkë me kohën, juve iu ka shterrur edhe aftësia riprodhuese, kështu që keni nevojë për donacion të qelizave vezë apo për spermë të huaj. Sepse, ju e adhuroni partnerin tuaj dhe nuk keni dëshirë që të divorcoheni shkaku se njëri nga ju është steril, pa fajin tuaj. Meqë, deri te këto probleme mund të çojnë shumë faktorë, të njohur apo të panjohur, nëpër të cilët ju jeni rritur apo keni kaluar. Dhe, është çështje e kulturës suaj se a më me dëshirë do të pranonit që të keni fëmiun e partnerit tuaj apo më parë do ta adoptonit një fëmijë me gjenetikë krejtësisht të panjohur. Padyshim se adoptimi është një gjest shumë human, por nganjëherë ju thjesht nuk e preferoni.

Poashtu, ndodhë që shpesh natyra ua ka falur vetëm fëmijë të të njejtës gjini dhe ju si dhe fëmijtë tuaj e dëshironi me gjithë shpirt edhe ndonjë femijë të gjinisë së kundërt. Dhe kjo asesi nuk nënkupton se ju nuk i doni fëmijtë tuaj pse i keni djemë apo vajza. Por ju thjeshtë e dëshironi një familje të përzier, respektivisht preferoni që fëmijtë tuaj të kenë vëllezër dhe motra. Pra, fatmirësisht sot, jo vetëm yjet e famshme të Hollywoodit, por edhe ju mund t’ia ofroni vetes luksin që ta zgjidhni paraprakisht gjininë e dëshiruar të fëmiut tuaj të ardhshëm. Dhe ky poashtu nuk paraqet ndonjë krim as për familjen e as për klinikën e cila ua mundëson një gjë të tillë, sepse eshte vetëm realizim i një dëshire tuaj për të krijuar një familje të lumtur si bazë për një shoqëri të lumtur.

Fatmirësisht sot, mjekësia moderne, respektivisht teknikat e avansuara të fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF), kanë arritur që t’i tejkalojnë të gjitha këto bariera, ashtu që ju të arrini deri tek qëllimi juaj. Por, fatkeqësisht, këto probleme dhe dëshira fundamentale shpesh pengohen nga shoqëritë dhe sistemet konzervative, duke u anashkaluar edhe të drejtat elementare njerëzore. Duke u bazuar në definicionin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, se shëndeti është “gjendje e mirëqenies së plotë fizike, shpirtërore dhe sociale”, mjekët mundohen ta kuptojne edhe anën tuaj psikologjike duke ju ndihmuar që ëndërrat tuaja të bëhen realitet, në çfarëdo klinike në botë ku ato mund të realizohen, natyrisht me preferencën tuaj.

Dr Gjina Zeqiri MSc, PhD
Gjinekologe – Obstetre
Subspecialiste për sterilitet dhe IVF