Derbi i Gjilanit mbyllet pa fitues, Drita ruan diferencën ndaj Prishtinës

E publikuar: 02/05/2018 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me rezultat të barabartë (1-1) ka përfunduar ndeshja e xhiros së 30-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës.

Nën një atmosferë mbresëlënëse të krijuar nga ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’ është zhvilluar derbi më i madh lokal në Kosovë.

Drita që lufton për titull kishte përballë rivalin më të madh në kampionatin vendor, përkundër se Gjilani nuk kishte ndonjë objektiv në këtë takim.

Mirëpo, qëllimi natyrisht se ka qenë pengimi i rivalit tjetër nga qyteti në rrugën drejt titullit të kampionit të Kosovës për sezonin 2017/2018.

Shprehja e rivalitetit kishte nisur që nga atmosfera e krijuar në qytetin e Gjilanit nga tifozët e të dyja skuadrave dhe pastaj atmosfera është bartur në tribunat e stadiumit.

Të parët në epërsi kaluan lojtarët e skuadrës që kishte epitetin e nikoqirit. Ergon Hyseni ishte lojtari që e zhbllokoi rezultatin në derbi (34′).

Mirëpo, në minutat shtesë të pjesës së parë, rezultati u barazua me golin e Kastriot Rexhës.

Gjysma e dytë nuk prodhoi shumë raste shënimi, megjithatë atmosfera në tribuna vazhdoi të ishte zjarrtë.

Lojtarët e Dritës u përpoqën në minutat e fundit që ta shënonin golin e fitores, mirëpo kur arbitri dha shenjë për përfundimin e lojës, rezultati ishte i barabartë (1-1).

Përkundër këtij barazimi, Drita vazhdon të jetë lider i Superligës së Kosovës në futboll (60 pikë), me tri pikë më shumë se Prishtina (57 pikë), pasi edhe kryeqytetasit luajtën baras (0-0) kundër Feronikelit. /Telegrafi/