Deputetja e Vetëvendosjes: PDK e LDK fatkeqësi për Kosovën

E publikuar: 27/08/2016 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca e 1 shtatorit për demarkacionin do të masë forcat mes opozitës që po e kundërshton këtë marrëveshje dhe partive në pushtet.
Por, për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila kundërshtimin ka paralajmëruar ta bëjë me protesta duket të jetë datë vendimtare.

“Kjo marrëveshje për demarkacionin nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë, nuk guxon të kalojë”, thotë deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në intervistë për Gazetën Fjala.

Sipas saj kjo është edhe arsyeja e protestës gjithë popullore më 1 shtator “sepse shpresa e vetme për të ndalur humbjen e territorit është populli. Nuk ka alternativë tjetër”.

Ajo se çfarë dihet tashmë, sipas saj është se do të ketë rezistencë të fuqishme, por thotë se janë në diskutim e sipër se me cilat forma do të kundërshtojnë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, sipas të cilës Vetëvendosje beson se Kosova po ia falë 8200 hektar Malit të Zi.

Kësaj radhe kjo parti nuk do të ketë përkrah as AAK-n e as NISMA-n në protestë, të cilat Haxhiu thotë se e kanë injoruar ftesën e Vetëvendosjes. Ndërkaq, për LDK e PDK ajo thotë se janë garniturë e krimit.

“Gjatë gjithë kohës, prej se erdhën në pushtet, LDK e PDK tentuan vetëm realizimin e marrëveshjes së Demarkacionit e ‘Zajednicës’ dhe u përfshinë në skandale të ndryshme. Kjo qeveri, këto dy parti janë fatkeqësi për Republikën e Kosovës”, thotë Haxhiu për Gazetën Fjala.