Delawie mbështet EULEX-in në reagimin ndaj Hajredin Kuçit

E publikuar: 17/03/2016 21:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Greg Delawie, ambasadori amerikan në Kosovë, nëpërmjet Twitterit ka mbështetur reagimin e EULEX-it ndaj ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Shoqëruar me linkun e deklaratës së EULEX-it ndaj Hajredin Kuçit, Delawie ka theksuar se SHBA-ja pajtohet që autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë ambient të qetë që gjyqësori të kryejë punën e tij.

“SHBA pajtohet: Autoritetet e Kosovës duhet të sigurohen se gjyqësori merr mbështetje për të gjykuar në një mjedis të qetë”, ka shkruar ambasadori.

Në një emision televiziv, ministri Kuçi tha se dënimi i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku nga Gjykata Themelore e Prishtinës është absurd.

Më pas pasoi reagimi i EULEX-it, duke e konsideruar deklaratën e Kuçit si tentim për frikësim dhe ndërhyrje politike.

“Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelo re në Prishtinë. EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”, thuhet në reagimin zyrtar të EULEX-it.

Pas këtij reagimi të EULEX-it, Kuçi për KTV-në ka thënë se ky ishte vetëm një keqkuptim.