Çfarë e bëri të përlotej Valbona Selimllarin dhe gjithë 'Dance with me'

E publikuar: 24/10/2017 07:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kërcimi nën tingujt e “Hurt”, që këtë herë ishte krijuar enkas për Aurelën dhe Mehdiun, përveç lëvizjeve teknike, solli një mesazh për ndjeshmërinë e lartë në këtë raport të pazëvendësueshëm dhe të pakrahasueshëm.


Pas performancës, Alketa i kërkoi aktorit Mehdi Malkaj të improvizonte një monolog për raportin babë e bijë. Ai e nisi si aktor, por sapo tha dy fjalitë e para, e ndërpreu nga emocionet. Aktori tragjikomik e pati të vështirë të bëjë rolin kur i duhet të flasë për një raport kaq delikat.

Pas kësaj, Alketa ndërhyri duke u dërguar një mesazh të gjithë baballarëve që kanë vajza: “Duajini dhe çmojini bijat tuaja si gjënë më të shtrenjtë që keni”, – tha Alketa ndër të tjera dhe, si për të zhdramatizuar situatën, e kaloi mikrofonin te Aurela, e cila, duke përfituar nga rasti, i dërgoi një mesazh të atit, të cilin e ka larg: “Edhe unë u emocionova pak… Ndoshta shumë gjëra nuk i bëjmë mirë në jetë, por unë jam e sigurt që im atë, edhe pse nuk është tani në sallë, të paktën nuk do kem arsye për t’i thënë ‘më fal’”, – tha Aurela e emocionuar.

I dërguar edhe një herë publikisht  për të gjithë baballarët që t’i çmojnë më shumë bijat e tyre, mesazhi kaloi edhe në jurinë e DWM. Berti, edhe këtë herë bujar, i pyeti se sa pikë donin, ndërsa Valbona, si në çdo rast të tillë, i përjetoi njëlloj me ta emocionet e këtij mesazhi të ndjerë që, jo vetëm përmes kërcimit, por më shumë përtej tij, drithëroi dhe përloti të gjithë publikun.