BQK: Çmimet për sigurimin e veturave nuk janë ndryshuar nga viti 2001

E publikuar: 21/11/2019 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Çmimet aktuale kanë mbetur pa ndryshuar nga viti 2001; pavarësisht asaj se është kërkesë ligjore që për çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave. Rishikimi nuk nënkupton rritje apo zbritje, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që nga viti 2001”.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka mbajtur sot një konferencë për media, ku temë diskutimi kanë qenë tarifat e vendosura nga kompanitë e sigurimeve.

Guvernatori i kësaj banke, Fehmi Mehmeti, ka thënë se çmimet aktuale për sigurimin e automjeteve kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001; ndërsa rrethanat kanë ndryshuar, njofton Klan Kosova.

“Bordi ekzekutiv e ka marrë një vendim dhe me qëllim që të jemi transparent, po atë ditë të vendimit ne kemi lëshuar një komunikatë ku janë treguar arsyet e këtij vendimi. BQK është rregullator mbikëqyrës dhe njëkohësisht e ka për obligim që të bëjë edhe rregullimin e tarifave për kompanitë e sigurimeve”.

“Për këtë qëllim, BQK-ja duke vepruar konform legjislacionit në fuqi dhe duke respektuar rekomandimet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur që të bëhet rishikimi i çmimeve aktuale”.

“Çmimet aktuale kanë mbetur pa ndryshuar nga viti 2001; pavarësisht asaj se është kërkesë ligjore që për çdo vit të bëhet rishikimi i tarifave. Rishikimi nuk nënkupton rritje apo zbritje, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë që nga viti 2001”.

“Nëse shohim ankesat që i pranojmë çdo ditë, vërehet se polismbajtësit kanë probleme. Mirëpo, kjo nuk është masa e vetme që e kemi ndërmarrë – ka ardhur koha që çdo kompani e sigurimit ta kuptojë se kur është fjala te respektimi i ligjit, BQK ka tolerancë zero”.

“Mosrespektimi i kontratës në mes polismbajtësit dhe klientëve është vepër penale. Nga viti 2001 e deri më tani kanë ndodhur shumë zhvillime dinamike që kanë pasur ndikim në ekonominë e Kosovës”.

“Faktori i parë ka qene rritja e numrit të dëmeve posaçërisht tek automjetet e kategorisë së parë. Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme nga ana e kompanive të sigurimeve. Fillimisht ka pasur kërkesa që të rriten çmimet për 36 për-qind. Mirëpo ne kemi vlerësuar gjendjen dhe e kemi refuzuar këtë kërkesë”.

“Ne e kemi marrë si bazë referente shkallën e inflacionit nga viti 2002 deri në vitin 2019. Sa i përket çështjeve të tjera duhet përmendur një fakt që është me interes për publikun”.

“Në vitin 2001 kur është miratuar ky ligj nuk ka qenë të përfshira edhe aksidentet e bërë na Shqipëri. Ndërsa kompanitë e sigurimeve vazhdojnë t’i mbulojnë dëmet e shkaktuara atje”.

Kujtojmë se sot gjatë ditës ka dërguar komunikatë për media edhe Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, ku wshtw theksuar se sigurimet për 18 vjet paguan 400 milionë euro dëme dhe pësuan 23,5 milionë euro humbje për gjashtë vjet.