Beteja e Marecit (18-23 prill 1999)

E publikuar: 17/04/2019 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Shemsi Syla

Në Betejën e Marecit u përfshinë në luftime dy zona operative: Zona Operative e Llapit me Brigadën 153 dhe Zona Operative e Karadakut me Brigadat 171,172 dhe 173.

Në këtë betejë armiku synonte ta shpartallonte efektivin e UÇK-së që kishte nën kontroll tërë Malësinë e Gollakut. Për këtë qëllim kishte angazhuar numër shumë të madh të ushtarëve dhe teknikë luftarake. Shtabi i Zonës së Karadakut ishte i vendosur në lagjen Hajdaraj të Marecit , ndërsa brigada 153 e ZOLL ishte e vendosur në Zllash.

Forcat serbe, duke shfrytëzuar motin e ligë dhe me mjegull, në mëngjesin e datës së 18 prillit, filluan ofensivën në shumë drejtime, duke u përpjekur që të rrethojnë plotësisht brigadat e UÇK-së. Forcat serbe, pozicioneve të UÇK-së ua mësynë nga të katër anët, në lindje sulmuan nga: Artana e Kalaja e Artanës, në jug nga: Prekovci, Llabjani, Llajsheci, Slivova, nga Mukata, Mramori, Butoci, në perëndim dhe në veri: nga Grashtica, Makoci, Keqekolla e Prapashtica.

Luftimet filluan në Kukaj, ku forcat serbe ndeshen me luftëtarët e Brigadës 153 të ZOLL. Në këto luftime mbesin të vrarë disa ushtarë serbë, kështu që forcat serbe detyrohen të tërhiqen për një kohë dhe i fillojnë bombardimet e pozicioneve të UÇK-së me tërë forcën e zjarrit të artilerisë që e kishin në dispozicion. Lufta përhapet shpejt edhe në pozicionet tjera të UÇK-së dhe Malësia e Marecit shndërrohet në arenë luftimesh të përgjakshme. Luftimet u zhvilluan edhe në afërsi. Angazhimi i drejtpërdrejtë i komandës dhe i komandantit, në vijën e parë të frontit, u dha zemër luftëtarëve, të cilët luftonin me heroizëm të pashoq dhe disa herë sprapsën armikun gjatë përpjekjeve të tyre për të marrë pikat strategjike në fushëbetejë. Qëndresa e luftëtarëve të lirisë ishte e pathyeshme. Armiku pësoi humbje shumë të mëdha në njerëz dhe në teknikë luftarake, sidomos në vijën Viti- Gërbesh, ku gjetën vdekjen dhjetëra ushtarë serbë. Edhe luftëtarët e Brigadës 153, si Plaku, Mejdi Asllani po e tronditnin armikun, duke i dhënë grusht të fortë, që e detyruan, megjithë makinerinë, të sprapsej. Në luftime të ashpra, plagoset Agmir Zejnullahu- Bujanoci dhe ushtar Korabi, por plagë më të rënda vdekjeprurëse, mori Majori Muharrem Ibrahimi, ushtaraku i përvojës e dijes, shëmbëlltyrë i urtësisë dhe inteligjencës. Njeriu, i cili mbante luftën në vija fronti pa u lëkundur në pushtimin e majave të pikës. Copat e granatës e goditën kur po ia thoshte këngës, duke u dhënë zemër bashkëluftëtarëve. Me përpjekje mbinjerëzore shokët e tërheqin nga vendi i plagosjes duke e dërguar në shtab, ku iu dha ndihma e parë. Nga plagët kishte humbur shumë gjak, gjendja iu kishte keqësuar, prandaj duhej nisur për në spitalin ushtarak. Megjithë përpjekjet e bëra, Majori ndërron jetë. Për të gjithë ushtarët shëmbëlltyra e Majorit mbetet një kujtim i përhershëm, i cili edhe përpara vdekjes qëndronte i fortë.

 

 

Në këtë betejë u vra edhe Shaip Pacolli, i cili atë ditë u bashkua me ushtarët e UÇK-së për të rezistuar me trimëri deri në momentin e rënies heroike. Krisma e pushkëve të tij iu kishte dhënë fuqi ushtarëve të UÇK-së. Ai kishte depërtuar thellë në zonën e armikut dhe kishte luftuar me heroizmin e trimave malësor të Marecit heroik.
Gjatë tërë betejës ushtarët e UÇK-së ishin të detyruar të kujdeseshin edhe për mbrojtjen dhe furnizimin me ushqim të popullatës,e cila ishte zhvendosur nga Prishtina në Malësinë e Marecit. Në këtë kohë, në Malësinë e Marecit ndodheshin rreth 80 mijë banorë të Prishtinës dhe të fshatrave përreth.

Nga paniku i shkaktuar gjatë luftimeve dhe lufta speciale e armikut, një pjesë e madhe e popullsisë ia mësyen Prishtinës. Armiku i tërbuar nga humbjet që kishte pësuar në përballje me UÇK-në, në fshatrat në hyrje të Prishtinës, Makoc e Grashticë, i ndanë nga kolona e të zhvendosurve dhe në mënyrën më mizore i masakron 153 vetë.
Në gjiun e atdheut ranë , dhjetëra dëshmorë nga të dy zonat. Nga Zona e Karadakut ranë edhe:

Besnik Maroca (Syla), shembulli më brilant i heroizmit. Ai me të dëgjuar për vrasjen e shokëve nuk pranon më të jetojë, del hapur duke shtënë në drejtim të armikut, rafalet e të cilit e godasin për vdekje. Në kujtesën e shokëve mbetet simbol i heroizmit dhe sakrificës.

 

Ibrahim Uruçi (Hushi), që në tetëvjeçare ishte i angazhuar në veprimtarinë kombëtare. Ishte një ushtarak i lindur. Ai po i printe kolonës kur u ndesh përballë me armikun, në shkëmbim të të shtënave bie në fushën e nderit.

Bahtiri Jahir trim i maleve të Vërbicës së Zhegocit, heroizmi i tij mbetet frymëzim për nxënësit e tij, të cilët i braktisi kur i bëri thirrje atdheu.

Musli Ymeri (Fatosi), i shpejtë si vetëtima, kudo që kishin nevojë shokët, ai ishte në krah të tyre. Në një nga këto akte të heroizmit të tij plumbat e godasin për vdekje, studentin që kishte lënë mësimin për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut.

Njëzetedy dëshmorë ranë, në këtë betejë, nga Zona e Llapit. Ndër ta edhe Heroi i Kombit Isa Kastrati, figura më emblematike dhe më konsekuente e luftës për atdhe. Gjithë rrugëtimi i tij jetësor përmbyllet lavdishëm me rënien e tij, duke vulosur me gjakun e tij betimin e hershëm, që kishte dhënë 30 vjet më parë. Brigada 172 e Zonës Operative të Karadakut, vazhdon luftën deri në çlirimin përfundimtar duke bartur me krenari emrin e tij. Në Betejën e Marecit, ranë: 27 luftëtarë dhe 16 nga popullata civile.