Athina shqetësohet për ‘skandalin Tahiri’: Tirana po zhvendos vëmendjen

E publikuar: 20/10/2017 12:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Jashtme e Greqisë reagoi pas publikimit të skandalit të përgjimeve në Shqipëri, duke dalë me një deklaratë.

Sipas Athinës, ata janë të shqetësuar për “lidhjen e mundshme mes krimit të organizuar dhe skenës politike në Shqipëri, siç tregohet nga arrestimi i fundit i kreut të një rrjeti trafikimi droge, që ndodhi të ishte i afërm i dikujt që deri së fundmi ishte ministër i rëndësishëm në qeverinë e Ramës”.

Jo vetëm kaq, por në deklaratë thuhet se autoritetet në Shqipëri po zhvendosin vëmendjen nga kjo çështje, duke kaluar një ligj të diskutueshëm për minoritetet.

Athina thotë se qeveria shqiptare po shkatërron pronat e anëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri.

“Qëllimi është të zhduket prania historike e helenizmit në rajonin e Himarës”, thuhet në deklaratë.

“Janë të shumtë ata që thonë se ky akt synon të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik në Shqipëri nga çështjet e mëdha politike që janë ngritur me trafikun e drogës. Shpresojmë që ky nuk është rasti,” theksohet në deklaratë.