Asociacioni në radhë, do të themelohet sipas Listës Srpska apo sipas Gjykatës Kushtetuese?

E publikuar: 13/03/2018 16:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, shpejt do të bëhet njëra nga temat e cila do të marrë vëmendjen e qarqeve politike. Megjithatë, mbetet e paqartë mënyra se si do të formohet ky Asociacion. Lista Serbe kërkon që Asociacioni të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, derisa nga Kosova sipas vendimit të Kushtetueses
Formimi i Asociacionit me Shumicë Serbe, është obligim për institucionet e Kosovës, i cili ka dalë nga marrëveshja në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel. Megjithëse, themelimi i tij shihet vështirë i realizueshëm. Gjithë kjo situatë asocion në kundërshtimet që kanë mes vete zyrtarët politikë kosovarë dhe ata serbë.

Pala kosovare thotë se nuk pajtohen me asnjë kusht që mund të bëhet nga Lista Serbe si mundësi për ta themeluar Asociacionin sipas kërkesës së tyre.

Në Qeverinë e Kosovës deklarojnë për Express se Asociacioni do të bëhet sipas vendimit të Kushtetueses dhe në asnjë mënyrë tjetër. Derisa e bëjnë të qartë se partia serbe në Kosovë nuk ka vënë kushte për Demarkacionin në mënyrë që të formohet Asociacioni.

Njësoj e bën të ditur edhe Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së. Ai për Express shtoi se Asociacioni mund të themelohet vetëm sipas Kushtetutës dhe se mundësi tjetër nuk ka.

“Marrëveshja e arritur në Bruksel i referohet qartë Kushtetutës së Kosovës. Opinioni i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje e ka qartësuar procedurën që duhet të ndiqet në këtë rast”, shprehet zyrtari i partisë së Mustafës.

Hoti vlerëson se Asociacioni është çështje e Qeverisë. Ai thotë se në Qeverinë “Mustafa” janë kujdesur që marrëveshja e arritur në Bruksel të jetë në përputhje me Kushtetutën, duke futur në marrëveshje referenca të qarta se asociacioni duhet të themelohet sipas Kushtetutës.

LDK-ja sqaron se nuk pranon asnjë lloj koncesion që mund të arrihet mes koalicionit qeverisës dhe partisë serbe për ta votuar Demarkacionin, nëse kjo kërkohet nga Lista Serbe.

“Ne presim që koalicioni qeverisës të sigurojë votat e nevojshme për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit, që i hap rrugë liberalizimit të vizave. Ne paralajmërojmë koalicionin qeverisës se nuk do të pranojmë asnjë lloj koncesioni që mund të arrijnë me partnerin e tyre qeverisës Lista Serbe, për të siguruar mbështetjen për votimin e Demarkacionit. Nuk pranojmë asnjë koncesion që shkon në dëm të interesave të vendit”, ka shtuar Hoti.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka vlerësuar se 21 nene të kësaj marrëveshjeje janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013.

Lista Serbe insiston që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013. Sidoqoftë në raundin tjetër në Bruksel do të diskutohet për Asociacionin.
Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe kishte ngjallur pakënaqësi të mëdha te opozita kosovare, që ishin përcjellë edhe me protesta masive. /GazetaExpress/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/asociacioni-ne-radhe-do-te-themelohet-sipas-listes-srpska-apo-sipas-gjykates-kushtetuese-511019/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright