“Arena Kombëtare”, gati në vjeshtën e vitit 2018

E publikuar: 23/09/2017 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, inspektoi sot paradite punimet në stadiumin e ri “Arena Kombëtare”, një kantier i vërtetë ku etapat e punës voluminoze janë pjesë e zbatimit të projektit gjigant, ndërtuar mbi rrënojat e stadiumit legjendar “Qemal Stafa”.

Sipas parashikimeve, “Arena Kombetare” do të jetë gati për vjeshtën e vitit 2018, diçka që e ka përforcuar sërish presidenti Duka.

“Jemi të lumtur si po ecin punimet dhe në fund të vitit 2018 do të jetë gati për të pritur ndeshjet. Nuk e fituam të drejtën e organizimit të Superkupës 2019 për faktin se kishim vetëm një projekt në letër. Stadiumi do të jetë shumë i bukur, një vepër e madhe për sportin shqiptar, më e rëndësishmja në Shqipëri, një pasuri e madhe për futbollin”, tha Duka.

Ndërkaq, për mediat foli edhe arkitekti Marco Casamonti, i cili theksoi se, “jemi të lumtur me ecurinë e punimeve, është një vepër e bukur. Do të jetë një kënaqësi për çdo tifoz të ndjekë ndeshjet në një stadium krejtësisht të mbuluar dhe me mundësinë për të qenë shumë pranë fushës. Do të jetë si një teatër”./ATA/