Apple hetohet për monopol në Rusi

E publikuar: 12/08/2016 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shërbimet kundër monopolit në Rusi njoftuan nisjen e një hetimi për të zbardhur nëse ka një marrëveshje mes shitësve të autorizuar të produkteve të Apple në vend për të fiksuar çmimet.

Hetimet nisën pas padisë së bërë nga një qytetar rus në Moskë. Ai u ankua tek autoriteti i konkurrencës ruse duke deklaruar se çmimet e iPhone 6S dhe iPhone 6S Plus, që dolën në tregun rus në tetor të 2015, janë të njëjta në të 16-të shitësit e autorizuar nga Apple në Rusi.

Pesë prej shitësve mohuan akuzat e bëra, ndërkohë që Shërbimet Antimonopol ruse thonë se dyshohet që fiksimi i çmimeve është koordinuar nga kompania amerikane Apple.

Por Apple mohoi akuzat.

“Shitësit e autorizuar vendosin çmimet e tyre për të gjitha produktet e Apple, në Rusi dhe në mbarë botën”, deklaroi për Reuters gjiganti amerikan i teknologjisë.