Apostolova: Investoni në arsim, jo në zv.ministra

E publikuar: 02/05/2018 17:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova, gjatë prezantimit të rishikimit të raportit funksional të MASHT-it dhe BE-së ka thënë se prioriteti i kësaj zyreje në aspektin e financimit është arsimi.

Ajo tha se Kosova nuk ka ecur shumë në sistemin e arsimit dhe për këtë arsye kanë vendosur që arsimi të jetë prioriteti.

Apostolova bëri thirrje që të organizohet administrata publike dhe të mos shpenzohen shumë para në pagat e zëvendësministrave.

“Kosova është vendi që ka 80 zëvendësministra. Nuk dua të bëj krahasime me vende të tjera, por më kuptoni se çfarë dua të them. Dëshirojmë të shohim që këto para të përdoren për reformë të mirëfilltë e jo për paga të zëvendësministrave”, tha ajo.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka gjithsej pesë zëvendësministra.

Sa i përket sistemit të arsimit në Kosovë, Apostolova tha se janë planifikuar të ndahen rreth 35 milionë euro.

“Kemi planifikuar që 35 milionë euro të ndahen për sistemin e arsimit. Fillimisht 6 milionë, pastaj rritet shuma në 12 milionë, e pastaj edhe 15 milionë të tjera”, tha ajo, duke shtuar se asistenca financiare e BE-së do të shpenzohet në mënyrën më efikase, transparente dhe efektive.

Sipas saj, përmirësimi i arsimit është mënyra më e qëndrueshme për ta ulur ciklin e papunësisë dhe për të siguruar zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi.

Apostolova tha se synojnë që ta përcaktojnë një model të sistemit cilësor të arsimit në Kosovë dhe se këto rekomandime në këtë projekt do të na ndihmojë në këtë drejtim.

Ndër të tjera, ajo tha se ristrukturimi i suksesshëm MASHT-it kërkon punë të madhe, durim dhe qëndrim pozitiv.

“Shpresojmë që falë këtij ristrukturimi MASHT-i do jetë në gjendje, t’i arrijë synimet. Kur kjo të arrihet, Kosova do ta ketë një sektor të reformuar në të gjitha nivelet dhe një cilësi që është e krahasueshme me vendet e BE-së”, theksoi ajo.

Ndërkaq Mark Barrett, udhëheqësi i këtij projekti, tha se MASHT-i ka kërkuar mbështetjen nga Zyra e BE-së për rishikimin funksional të saj.

“Mendoj që sot është shumë me rëndësi sesa seriozisht e merr Ministria këtë çështje dhe sa i rendësishëm është ky këshill funksional për ta udhëhequr drejt implementimit dhe kjo ngjarje sot është dëshmi e kësaj”, tha ai.

Sipas tij, nëse stafi dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk do të ishin në gjendje të bashkëpunojnë me ta, ky projekt nuk do ishte realizuar.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se për ministrinë që ai drejton ishte shumë e rëndësishme që të kenë një raport të tillë profesional, sepse me një raport të tillë do të përmirësohet situata brenda ministrisë.

“Që në fillim të marrjes së detyrës së ministrit kemi rënë dakord që ta bëjmë një rishikim për MASHT-in për të parë mundësitë e kësaj ministrie. Ishte e nevojshme që të kemi një raport profesional”, tha Bytyqi.

Ai konsideroi se do të shohim një funksionim më ndryshe nga MASHT-i.