Aplikacioni Kalipso i arkitektit të softuerit nga Tirana “josh” turistët e huaj me natyrën dhe trashëgiminë kulturore Shqiptare

E publikuar: 04/05/2019 18:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Kalipso” është përgjigje ndaj nevojës në rritje të interesit të turistëve (lokalë dhe të huaj), përfaqëson një platformë që u shërben në një mënyrë mjaft të thjeshtë, të mirë-organizuar për aktivitetet turistike, përfshirë edhe aktivitetet sportive në natyrë.

Aplikacioni është zhvilluar nga arkitekti i softuerit Erion Cuni. Studimet e larta ai i ndoqi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ndërsa studimet e avancuara në informatikë i vazhdoi në La Sapienza në Romë.

Drejton kompaninë Almotech dhe në ICT Awards konkurroi me produktin Kalipso. Ai u vendos përballë Arbër Puci nga Tirana me projektin LaPiat dhe Hashim Llumnica me projektin Zhvillimi i teknologjisë në Android për persona te verbër.

Kalipso është zgjidhje që siguron integrimin e guidave zyrtare në një platformë, duke ofruar një sistem rregullator e transparent të industrisë së turizmit, e që i shërben zhvillimit të këtij sektori.

Si emërtim, Kalipso përfaqëson një term antik i përdorur për guidat turistike.

Kalipso ofron mundësi të mira e pa kosto për turistin për promovimin e bukurive të natyrës dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Kjo zgjidhje realizon një rrjet digjital mes guidave dhe turistëve.

Aplikacioni u nderua me çmimin Mobiliteti i Vitit në edicionin e 7-të ICT Awards. “Nëse më pyesni për emocionet e skenës së ICT Awards nga 1 deri 10, për mua është 15,” u shpreh ai gjatë mbrëmjes Gala.

Në lidhje me rrugëtimin e kompanisë së tij, ai tha se nuk qenë aspak i lehtë por jemi përpjekur që gjithnjë ti japim vlera produktit dhe zgjidhjes që ofron. /ICTAwards.org