Anton Quni: Kam dëshmi se Xhavit Haliti mori miliona nga Qeveria e Bukoshit

E publikuar: 03/05/2018 11:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë vazhduar përplasjet në mes të deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, dhe atij të LDK-së, Anton Quni. Në seancën e sotme, Anton Quni ka thënë se ka dëshmi për keqpërdorimet që janë bërë nga Haliti për 8 milionë markat, që siç ka deklaruar kohë më parë deputeti i LDK-së, Haliti i kishte marrë për gjoja çështje të luftës. Quni tha se i ka dëshmitë për këto çështje dhe mjetet që janë kaluar nga Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr atëkohë nga Ahmet Krasniqi
“I kam dëshmitë, ato dëshmi janë të klasifikuara dhe varet nga ju a do t’i publikoni apo jo, nëpërmjet administratës do t’i përcjell te ju, janë të gjitha dëshmitë ku shihen shuma e kalimit të mjeteve financiare nga Ministria e Mbrojtjes”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Xhavit Haliti e mori fjalën e tij në seancë, për ta replikuar Qunin. Madje ia tha se për të nuk kishte dëgjuar asnjëherë deri pas luftës.

“E vërteta është që mu më është afruar Ahmet Krasniqi, nuk e kam ditë kush është, më kanë thirrë në një takim në shtëpinë e Bilall Sherifit, Ahmeti s’ka qenë ministër i Mbrojtjes.

Mas luftës e kam marrë vesh kush je tek je e tash je deputet, por du të them që segmente të caktuara edhe të grupit të oficerëve e të qeverisë e kanë pengu Ahmet Kransiqin, Ahmeti është emëru ministër i mbrojtjes shumë vonë dhe ka luftuar me qato struktura të qeverisë se nuk e emëronin ministër të mbrojtjes”, është shprehur ai.

Ahmeti ka premtuar që të gjitha mjetet që i disponon Qeveria e Kosovës në mërgim do ia dorëzoj shtabit të përgjithshëm për ta udhëheq luftën. ky ka qenë premtimi me shkrim, ato tjerat bisedat e mëparshme nuk është vendi për me diskutu”, ka shtuar ai. /Express