Anëtarët e KQZ-së, bëjnë thirrje që Ligji për zgjedhjet të ndryshohet

E publikuar: 22/09/2017 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

87 kandidatët e decertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojnë garën e tyre në zgjedhjet lokale, pasi që Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së.

Kësisoj edhe vendimi për zëvendësimin e këtyre kandidatëve është anuluar.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, duke mos dashur ta komentojë vendimin e Gjykatës Supreme, tha që do të respektojnë çdo vendim të saj, raporton KTV.

Mirëpo, anëtarët e këtij komisioni bëjnë thirrje që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të ndryshohet, pasi bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas këtyre anëtarëve, KQZ-ja nuk e ka shkelur ligjin.

Në mbledhjen e së premtes të KQZ-së, është miratuar edhe lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e 22 tetorit.

Lista përfundimtare e votuesve do t’i ketë 1.890.962 votues, me dallim prej 12 mijë e 603 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e 11 qershorit.

Në zgjedhjet e 22 tetorit, do të kemi 899 qendra të votimit, me 2555 vendvotime.

Janë 14 mijë e 176 votues të rinj.

KQZ-ja ka akredituar gjithsej 3883 vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet lokale të 22 tetorit.