Analistët në Beograd kundër diskutimit për territore, thonë se do të pësonin më së shumti serbët

E publikuar: 18/03/2019 19:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dushan Janjiq vazhdon të insistojë se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës ngjanë me pacientë në komë, për të cilin të gjithë mendojnë nëse ia vlen të kthehet në jetë.

Kryetari i bordit të Forumit për Raporte Etnike konsideron se është bërë gabim i madh kur presidentëve Thaçi e Vuçiq iu lejua që të flasin rreth shkëmbimit të territoreve.

“Dy klasat politike në Kosovë e Serbi e kanë të përbashkët prejardhjen, respektivisht vitet e ’90-a dhe shpërbërjen e Jugosllavisë. Derisa ky proces të mos përfundojë, këta njerëz do të besojnë se vetëm vizioni i tyre është e duhuri derisa vizioni i tyre është ndarja etnike dhe nacionalizmi”, ka thënë Janjiq.

Duke shtuar se siç qëndron situata aktualisht me taksën 100 për qind për produkte serbe, dialogu nuk ka gjasa që do të vazhdojë, Janjic pohon se liderët serbë e shqiptarë nuk janë të gatshëm për kompromise reale.

Në anën tjetër, për shkëmbim të territoreve nuk pajtohet as kryetarja e komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko. Ajo thotë se nga kjo më së shumti do të pësojnë vet serbët në Kosovë, sidomos ata në jug të Ibrit dhe kjo është një prej zgjidhjeve më të disfavorshme për vet ata.

“Së fundi e bënë një hulumtim, se çfarë mendojnë serbët në Kosovë rreth shkëmbimit të territoreve dhe shumica janë kundër. Madje edhe në veri ishin rreth 70 për qind e serbëve kundër. Ata janë të vetëdijshëm se ndarja përkeqëson situatën e serbëve sidomos në jug. E ata në veri margjinalizohen edhe më shumë duke mos qenë më akterë as politik as shoqëror”, ka thënë Biserko.

Biserko shtoi se pas vitit ‘99 serbët humbën shumë kohë për të artikuluar politikën e liderë të ri dhe gradualisht përfunduan nën kontrollin e Listës Serbe.

“Me themelimin e Listës Serbe, ndikimi i Beogradit është fuqizuar në Kosovë. Partia aktualisht ndodhet në institucionet e Kosovës por nuk përfaqëson aspak interesat e serbëve atje por të Beogradit. Lista Serbe mbetet grup shqetësues sa iu përket serbëve në Kosovë aq më tepër kur shumica prej tyre janë shumë të kriminalizuar në veri të Kosovës”, ka thënë ajo.

Aktivistja për të drejtat e njeriut, tha se ideja për shkëmbim të territoreve nuk është aq e re sepse për të u punua me vite në Bruksel. Megjithatë mbetet optimiste se diçka e tillë nuk do të ndodh, kryesisht shkaku i insistimit të Gjermanisë.