Ambasadori norvegjez konfirmon mbështetjen për qeverisjen lokale

E publikuar: 02/04/2019 13:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad, ka takuar sot kryetarët e komunave të vendit dhe përfaqësues të ministrive të linjës.

Në këtë takim ata diskutuan arritjet, sfidat dhe perspektivat në fushën e qeverisjes lokale, njofton Klan Kosova.

“Jam shumë i nderuar që ju kam në rezidencën time për t’i prezantuar sfidat dhe të diskutojmë se si mund të ecim së bashku për zhvillimin e qeverisjes lokale”.

“Ne do të vazhdojmë të ju ndihmojmë në secilën komunë, do të kemi projekte së bashku me institucionin për qeverisjen lokale”, ka thënë ambasadori norvegjez.

Ndërsa Koordinatori për refoma shtetërore, Besnik Tahiri, falënderoi ambasadën e Norvegjisë për ndihmën.

“Falënderoj shtetin e Norvegjisë që edhe para lufte por edhe tani gjatë shtetndërtimit na ka ndihmuar, unë ndihem mirë që shumë çështje që i kemi diskutuar së bashku janë bërë. Nëse komunat prodhojnë rezultate shteti është i suksesshëm, në një sistem kushtetues si i Kosovës trajtimi i komunave është shumë i rëndësishëm”.

“Forumi Qeveri-komunë ka arritur disa rezultate, ndihem mirë që 1002 asamblistë sot nuk janë në mëshirë të asistencës sociale por do të kenë një pagë, prej tyre 306 janë femra ku do të kenë një trajtim shumë më të mirë sesa që e kanë pas, edhe paga e kryetarëve të komunave është e dinjitetshme”, ka thënë Tahiri.

Tahiri theksoi se nëse komunat ndihmojnë njëra-tjetrën do të jetë më lehtë të menaxhohet zjarret që po ndodhin ditëve të fundit.

Tahiri kërkoi edhe ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik, “1521 kontrata i kanë publikuar komunat në faqet zyrtare të tyre, prej 38 komunave 21 i kanë publikuar të gjitha kontratat. Ligjin për Prokurimin duhet ta ndryshojmë pasi nuk po kemi mundësi të realizojmë projekte”.