Ambasadori amerikan në BeH: Përcolla qëndrimin e SHBA-së se sovraniteti dhe integriteti territorial duhet të respektohet

E publikuar: 21/02/2020 11:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Eric Nelson, përsëriti pikëpamjet e njohura më parë të Uashingtonit në lidhje me Bosnjë dhe Hercegovinën, duke iu referuar në veçanti një takimi të fundit me Anëtarin e Presidencës së BeH, Milorad Dodik.

Sipas mediave në BeH, përcjell Telegrafi, Nelson tha se ai dhe Dodik kishin një bisedë të hapur për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe diskutuan reformat dhe mënyrën e qasjes ndaj tyre.

“Unë përcolla qëndrimin e SHBA-së se sovraniteti dhe integriteti territorial duhet të respektohet, se Dejtoni duhet të respektohet dhe që ultimatumet dhe bllokadat nuk janë një mënyrë e mirë e funksionimit. Unë kam biseduar me të për pasojat e mundshme. Unë i shoh këto pasoja në fushën ekonomike, në largimin e të rinjve dhe përmes sanksioneve të reja”, citohet të ketë thënë Nelson.

Ai ka thënë se Marrëveshja e Dejtonit, e cila i bashkoi të tre kombet në një vend, thotë se ekzistojnë dy entitete dhe më e rëndësishmja, një shtet.

“Dokumenti i Dejtonit ishte një pikënisje e mirë, por modifikimet ishin të nevojshme dhe do të vazhdojnë të jenë në rrugën e BeH drejt integrimit euro-atlantik. Të gjithë pajtohen që kompromisi është i vështirë dhe një sfidë e madhe, por problemet duhet të adresohen përmes institucioneve shtetërore. Gjykata Kushtetuese e BeH është shtylla e shtetit dhe duhet të funksionojë lirshëm”, shpjegoi Nelson, duke aluduar për tensionet e fundit që Dodik ka ngritur mbi vendimin mbi Ligjin për tokën bujqësore.

Pra, sipas Nelson, qasja maksimaliste dhe obstruktive nuk çon drejt përparimit.

“Gjeni pikat ku jeni dakord, ky vend mund të ketë sukses, por kompromisi është i nevojshëm. Rreziku për ndarjet në BeH në vend të aktivizmit rrit pasigurinë midis qytetarëve dhe investitorët e shikojnë atë dhe e llogaritin atë”, ka thënë ndër tjerash Nelson.