Aktakuzë ndaj 5 zyrtarëve të komunës së Prizrenit

E publikuar: 02/05/2019 16:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave zyrtarë të komunës së Prizrenit.

Prokuroria Themelore ne Prizren, përkatësisht departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë lidhur me projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, kundër pesë personave zyrtarë.

Sipas njoftimit, të akuzuarit janë, A.S., si person zyrtar përkatësisht si menaxher i projektit “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, R.M., M.B., H.P., dhe D.M., si persona zyrtar në cilësinë e Organit mbikëqyrës të punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur” për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), shkruan Infosot.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit akuzohen se në periudhën kohore tetor 2009 në vazhdimësi deri me 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë mbikëqyrjes së punimeve në projektin “Ndërtimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur”, kanë lejuar ekzekutimin e pagesave për operatorin ekonomik përkundër asaj se punimet në pozicionet e caktuara nuk janë kryer, dhe atë në vlerë totale prej 962,387.95 euro, si dhe pranimi teknik i këtij objekti akoma nuk është bërë dhe nuk është lëshuar për shfrytëzim.

Me këto veprime, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në  barrë. /Infosot/