Aksion kundër piraterisë. Tre të arrestuar dhe 58 aparate të sekuestruara në Tiranë

E publikuar: 19/01/2018 11:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pirateria televizive merr një tjetër goditje në Shqipëri. një rrjet që tregtonte në mënyrë të paligjshme Dream Box e Android Smart Box u shkatërrua nga policia e Tiranës.

Agjentët e hetimt të krimit ekonomik e financiar në bashkëpunim me Prokurorinë arrestuan shtetasit Kristo Taka, Valer Pinderi dhe Brenat Xhuti pasi piratonin në mënyrë të paligjshme programe televizive pa të drejtën e autorit, me qëllime përfitimi.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan, 57 aparate “Dream box” dhe “Smart box”, një automjet, 3 USB, 3 aparatë celularë si dhe një sasi kartmonedhash. Të gjithë këta shtetas akuzohen për mashtrim, fshehje të ardhurash e riprodhim pa të drejtë të veprës së tjetrit.

Mes programeve të piratuara nga platforma ndërkombëtare ishin shumë kanale të Platfomës Digitalb për filma, filma për fëmijë e sport duke i shkaktuar një dëm tepër të madh kësaj kompanie që investon financime kolosale për të siguruar të drejtat televizive për abonentët e saj.

Digitalb prej vitesh i prin një fushate të tillë të organeve ligjzbatuese kundër piraterisë dhe ka mbështetur e do të mbështesë edhe në të ardhmen cdo aksion të ndërmarrë në këtë drejtim.

Digitalb inkurajon çdo hetim dhe ndëshkim të operatorëve illegalë që prishin konkurrencën e ndershme dhe kërkojnë të çrregullojnë tregun për përfitime të paligjshme në programet IPTV.

Një mega-aksion i ngjashëm u krye pak ditë më parë në mënyrë të sinkronizuar edhe në disa vende të Europës, si Qipro, Holandë, Bullgari, Greqi të bashkërenduar me policinë europiane, Europol. /Top Channel