Adem Grabovci me 11 të akuzuarit për aferën ‘Pronto’, dalin para gjykatës

E publikuar: 21/12/2018 08:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Adem Grabovci së bashku me njëmbëdhjetë të akuzuarit e tjerë të aferës së përgjimeve ‘Pronto’, sot pritet të dalin para gjyqit. Kujtojmë se muajin e kaluar është mbajtur shqyrtimi fillestar me ç’rast i akuzuari Adem Grabovci, Besim Beqaj dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si afera ‘Pronto’.

Duhet të theksojmë se gjatë shqyrtimit fillestar aktakuza nuk është lexuar fare, kjo për shkak se të akuzuarit dhe avokatët kanë kërkuar që të mos lexohet aktakuza, edhe përkundër faktit se prokurorja speciale Drita Hajdari kërkoi që ta lexoj aktakuzën, Gjykatësi Shashivar Hoti kishte vendosur që me pajtimin e të akuzuarve, aktakuza të konsiderohej si e lexuar.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. /kallxo.com