Abrashi: Zëri i deputetëve për mocion mosbesimi duhet dëgjuar, Albini ka shkelur marrëveshjen

E publikuar: 23/03/2020 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të funksionojë pavarësisht rrethanave të krijuara, pasi zëri i deputetëve për mocion mosbesimi duhet dëgjuar.

Abrashi është shprehur se mocioni është dorëzuar pas pritjes së kreut të LDK-së, Isa Mustafa për reflektim nga ana e partnerit të tij qeverisës, Albin Kurti nga LVV.

“Tani të gjithë e dimë që mocioni është dorëzuar të premten në fund të orarit pas pritjeve dhe kërkesave të shumta që ka bërë kryetari Mustafa karshi Kryetari të Vetëvendosjes Albin Kurti. Kjo vjen si rezultat i refuzimit për shfuqizim të taksës, pasi vendosja e kësaj takse është vërtetuar që ka sjellë dëme shumë të mëdha duke bërë që Serbia të paraqitej si viktimë, duke rezultuar edhe me tërheqje njohjesh. Kjo është dashur të ndodhte në mbledhjen e parë të Qeverisë, shumë më lehtë kishim kalu”, ka deklaruar ai.

Abrashi shtoi se përveç çështjes së taksës, Albin Kurti si partner qeverisës, shkeli marrëveshjen e koalicionit me Isa Mustafën.

“Ka qenë edhe arsyeja e shkeljes së marrëveshjes nga ana e Albin Kurtit i cili e shkarkoi nga detyra e ministrit, Agim Veliun i cili është njëherit edhe nënkryetar i LDK-së. Mustafa ka bërë thirrje që këto dy veprime të merren si kërkesa tona. Nuk ka pasur dalje tjetër veçse të veprohet me mocion”, pohoi ai në Klan Kosova.

Për rrëzimin e Qeverisë  duhen 61 vota.