​Tahiri kërkon zbatim strikt të rekomandimeve antiCOVID-19

E publikuar: 12/07/2020 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Tahiri, u ka bërë sot thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të zbatojnë me përpikëri masat e reja kundër COVID-19, si mënyra e vetme që mos shkohet drejt izolimit të vendit.

Në një shkrim në Facebook, Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka propozuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pasi do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë.

“Mirëpo, po vendosen masa strikte që duhet secili qytetar t’i zbatojë e respektojë, sepse është në të mirën e shëndetit publik. S’ka alternativë tjetër pos respektimit të rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë Publike. Nuk duam dhe do të mundohemi deri në fund të mos bëjmë mbyllje të përgjithshme. Të mos i mbyllim kufijtë, të mos i mbyllim aeroportet sepse pasojat janë të mëdha. Në këtë situatë duhet shtuar kujdesin në secilën fushë dhe sidomos në gastronomi”, ka thënë Tahiri.

Sipas masave të reja kundër COVID-19 është vendosur ndalimi i të gjitha ahengjeve në ambiente të mbyllura, pjesëmarrja në varrime, të pamet dhe ritet në objekte fetare.

Tahiri ka bërë të ditur se ditëve në vijim do të publikohen masat shtesë që do të targetojnë aktivitetet ku mund të ketë turma.

“Si vend dhe shoqëri kemi kaluar beteja më të vështira, por sot kemi të bëjmë me armik të padukshëm, andaj vetëm të disiplinuar duhet ta luftojmë bashkërisht”, ka porositur ai./kp/