​Deda komenton bisedimet “e fshehta” Thaçi-Vuçiq

E publikuar: 19/03/2018 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda, ka folur për takimet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raportohet t’i ketë zhvilluar fshehtas, me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, për gjoja ndarjen e Kosovës.

Deda ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, se ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë – dhe se një gjë e tillë është parandaluar tashmë, gjatë verës së vitit të kaluar.

“Gjermanët kanë intervenuar, kanë thënë se ndarja e Kosovës, shkëmbimi i territoreve, nuk vjen në konsiderim”, është shprehur Deda.

Sipas Dedës, “Evropa nuk e ka ndërmend ta lejojë, bashkë me Shtetet e Bashkuara, asnjë lloj ndryshimi të kufijve në Ballkan”.

Deputeti i Alternativës ka thënë se Thaçi duhet t’i tregojë Kuvendit, deputetëve, partive dhe opinionit publik se çka po bisedon me Vuçiqin – “sidomos në ato takime që nuk janë publike”.

Deda është shprehur i bindur se nuk do të ketë kurrsesi ndarje të Kosovës.

“Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, veriu nuk do t’i bashkëngjitet Serbisë, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve”, ka thënë ai.

“Perëndimi e ka parandaluar këtë gjë. Kosova do t’i ketë kufijtë të cilat i ka”, ka përfunduar Deda. /Express/