“Mbështetja e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, me aktivitete të cilat kanë ndikuar në rritje të zhvillimit ekonomik lokal në Gjilan, po arrihet përmes përkrahjes në drejtim të bizneseve të vogla dhe të mesme, duke i përgatitur që të jenë konkurrent në përfitimin e granteve, programeve dhe projekteve të ndryshme të cilat vijnë në Kosovë përmes partnerëve të shumtë që ka Gjilani me organizata të ndryshme qeveritare të shteteve mike.
Kështu është shprehur në një konferencë për media, drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Agim Zuzaku, i cili tha se Gjilani tashmë është identifikuar si mbështetës i fuqishëm i bizneseve të vogëla dhe të mesme, duke qenë emrues i përbashkët për zhvillim ekonomik lokal duke mbështetur afro 200 biznese për tre muaj të këtij viti.
Zuzaku me këtë rast ka përmendur disa nga projektet kryesore që kanë të bëjnë me grante për bizneset e vogla dhe të mesme e të cilat praktikisht janë gjenerator për zhvillimin bizneseve.
“Bizneset e vogla dhe ato të mesme me mbështetje përmes granteve, apo programeve të ndryshme e stabilizojnë veten dhe menjëherë krijojnë mundësi punësimi. Kështu me organizatën gjermane “Help”, në bashkëfinancim edhe nga Qeveria Gjermane, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit, implementohet “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikro-bizneseve në Kosovë”. Planifikohet të shpërndahen rreth 40 grante, duke ofruar pajisje në vlerë prej 2 mijë euro, shumë kjo e cila përfshinë edhe investimin nga përfituesit prej 15 për qind”, ka thënë drejtori Zuzaku.
Zuzaku e ka vlerësuar tejet të rëndësihëm edhe mbështetjen e BE-së përmes projektit “Valorizimi i tregtisë tradicionale dhe potenciali socio – ekonomik”, duke bërë që me grantet prej 2 mijë euro, duke përfituar 28 zejtarë, gjë që ka dhënë një stabilitet të këtyre zejeve për Gjilanin.
Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, ka potencuar edhe zhvillimin e agrobiznesit përmes mbështetjes dhe përkrahjes së madhe të organizatës CARE dhe ATRC, duke bërë kështu që të bizneset nga fusha e tillë të takohen dhe të krijojnë ura lidhëse mes vete, për zhvillim të qëndrueshëm edhe ndërkomunal.
“Përmes Organizatës CARE dhe ATRC, kemi arritur që t’i mbledhim në një takim të përbashkët bizneset agrare të regjionit të Gjilanit, me qëllim të lidhjeve të reja për zhvillim. Në kuadër të këtij projekti janë angazhuar 100 praktikantë me pagesë për 3 muaj në sektorin privat, duke ju dhënë një mundësi e madhe të rinjve për t’u aftësuar për punë, mirëpo përfituese në këtë rast ishin edhe bizneset me numër të punëtorëve për nevojat zhvillimit të biznesit”, pohoi ai.
Inkubatori i biznesit është në shërbim të vërtetë të bizneseve
Drejtori i DZHE-së së Gjilanit tha se me aprovimin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, do të bëhet renovimi i objektit të inkubatorit të biznesit dhe krijimit të kushteve më të mira për bizneset e reja të cilat fitojnë të drejtën për përfitim të shfrytëzimit të zyrave.
Zuzaku, poashtu, ka thënë se Drejtoria për Zhvillim Ekonomik është duke bashkëpunuar ngushtë edhe me Organizatën Qeveritare Gjermane Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit – GIZ, në Hartimin e Planit Komunal për menaxhimin e mbeturinave, dhe pas përfundimit të pilot projektit të parë do të vazhdojmë me pilot projektin e dytë atë të përfshirjes së të gjitha shkollave të Komunës së Gjilanit në menaxhimin e mbeturinave dhe ndarjen e tyre.
Ndërsa, nga ana tjetër në këtë fazë ka vazhduar projekti për efiçiencën e energjisë në ndërtesat publike, përmes KfW-së (Bankën Gjermane për Zhvillim).
Edhe në Qendrën për Regjistrimin e Bizneseve (QRB) në Gjilan gjatë periudhës janar – mars 2016, i pari i DZHE-së në Gjilan tha se ka rritje për 48 për qind të numrit të bizneseve të reja të regjistruara dhe 6 biznese më pak të shuara se sa në perudhën e njejtë e vitit 2015.
Zuzaku, poashtu, ka thënë se edhe sektori i inspeksionit gjatë periudhës janar – mars 2016 ka inspektuar bizneset që nuk janë të regjistruara, po ashtu ka njoftuar komunitetin e biznesit për rregulloret komunale (orari i punës) dhe (taksa komunale).
“Gjithashtu tani janë duke marrë pjesë në aksionin për deklaracionet e mallit për bizneset të cilat kanë mall pa deklaracion”, tha ai.
Hapat e ardhshëm të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik janë angazhimi konsulencёs për implementimin e projektit, përfshirë analizimin e projekteve tё identifikuara si dhe identifikimin e projekteve shtesë që do tё përfshihen nё program, trajnimin e stafit tё komunave për operimin dhe mirëmbajtjen e objekteve dhe monitorimin e implementimit tё punëve ndërtimore nёpёr objekte.
Në fund, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Agim Zuzaku, ka apeluar tek bizneset që ta shfrytëzojnë “Skemën e Granteve për Zhvillimin e Sektorit Privat”, program i financuar nga BE, përmes Asociacionit të Agjencive për Zhvillim Rajonal, sepse afati për aplikim është 25 maj 2016, dhe qëllimi është mbështetja e bizneseve të qëndrueshme për gjenerim të vendeve të punës.