Kuvendi Komunal i Prishtinës sot mban seancë të jashtëzakonshme

E publikuar: 24/04/2025 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi Komunal i Prishtinës mban sot seancë të jashtëzakonshme.

Pika e rendit të ditës është propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.

Seanca pritet të filloj nga ora 10:00.

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka vendosur të bojkotojë seancën e sotme të Kuvendit Komunal të kryeqytetit.

Në një deklaratë për shtyp, LVV-ja në Prishtinë thotë se kjo është tentativë e kryetarit Përparim Rama, për të kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit.

“Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore.

Për këtë arsye, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën”, thuhet në njoftim