Zgjerohet bashkëpunimi midis auditorëve të Kosovës e të Suedisë

E publikuar: 26/10/2016 14:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Auditori i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët Vlora Mehmeti dhe Ilir Salihu kanë zhvilluar një vizitë pune në selinë kryesore të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm.

Gjatë kësaj vizite, sipas njoftimit për medie, ai ka takuar homologun suedez, znj. Margareta Åberg me zëvendësin e saj dhe zyrtarë të tjerë, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të dy institucioneve, transmeton Koha.net.

Z. Osmani pasi e ka njoftuar homologen e tij me aktivitetet aktuale dhe orientimet strategjike, e ka falënderuar znj. Åberg për përkrahjen që ka ofruar institucioni suprem i auditimit suedez për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm dhe ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes si në aspektin bilateral, ashtu edhe në atë regjional e ndërkombëtar me qëllim që institucioni më i lartë i auditimit në Kosovë të bëhet pjesë aktive e zhvillimeve në fushën e auditimit.

Drejtuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë shprehën gatishmërinë për të ofruar ekspertizën e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës si në sferën e auditimeve të rregullsisë ashtu edhe në atë të performancës. Në këtë kuadër palët u pajtuan që marrëveshja aktuale e bashkëpunimit të zgjerohet dhe të konkretizohet me një plan të aktiviteteve.

Gjatë vizitës zyrtare në Suedi, auditori i përgjithshëm, z. Osmani vizitoi edhe Parlamentin suedez, ku u prit nga z. Göran Pettersson, zëvendës-kryesues i Këshillit Parlamentar për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe anëtar i Komitetit për Çështje të Jashtme dhe z. Mikael Åsell, kryesues i Sekretariatit të Komitetit për Financa.