Ekonomi

Zeka paralajmëron rrezikun e zhvendosjes së bizneseve: Pa reforma ekonomike, Kosova mund të humbë prodhuesit

04.07.2026 09:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Zeka paralajmëron rrezikun e zhvendosjes së bizneseve: Pa reforma ekonomike, Kosova mund të humbë prodhuesit

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka ngritur shqetësimin se mungesa e investimeve infrastrukturore dhe vonesat në reformat ekonomike mund të çojnë në zhvendosjen e bizneseve prodhuese nga Kosova drejt vendeve të rajonit, me pasoja për ekonominë dhe punësimin.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeka tha se, ndonëse Oda Ekonomike Amerikane nuk ka informata për largim të bizneseve nga Kosova, shqetësimet e komunitetit të biznesit janë të mëdha dhe lidhen me mungesën e investimeve që do të nxisnin zhvillimin ekonomik.

Ai tha se në vend të investimeve infrastrukturore me efekt afatgjatë, po vazhdohet me politika që fokusohen në asistencën sociale.

“Nuk është që kemi marrë informata për largim të bizneseve të Kosovës, për hir të së vërtetës. Megjithatë, ka shqetësime të mëdha, të cilat ndahen nga ana e anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane, por edhe komunitetit më të gjerë të biznesit në vend. Siç e kemi thënë edhe në deklaratat tona, nuk ka investime të mjaftueshme infrastrukturore, të cilat do të kishin efekt më të gjerë multiplikativ në zinxhirin ekonomik të vendit. Po e shohim se gati secilën herë ose dy-tri herë brenda vitit ka shpërndarje të asistencës sociale. E kuptojmë që kjo mund të jetë në linjë me politikat dhe vlerat që i promovon partia në pushtet, por megjithatë duhet të shihet efekti i tyre në ekonominë e vendit”, tha Zeka.

Sipas tij, efektet e këtyre politikave janë negative dhe mund të ndikojnë në largimin e bizneseve prodhuese nga vendi.

“Ne besojmë që efekti në masë të madhe është negativ, është gërryes dhe rrjedhimisht kjo i lë bizneset në gjendje më të vështirë, e pse jo në një të ardhme jo shumë të largët edhe të nisim të shohim largimin e tyre, ashtu siç ka paralajmëruar një pjesë e madhe e tyre. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qenë vende të vogla me ekonomi të brishta, janë në mesin e vendeve më të varfra në Evropë dhe rrjedhimisht jemi në konkurrencë me njëra-tjetrën për tërheqjen e bizneseve”, tha ai.

Zeka tha se tashmë ka biznese kosovare që janë shtrirë në vendet fqinje dhe paralajmëroi se prodhuesit mund të zhvendosen në Shkup ose Kukës.

“Në dy-tri vitet e fundit ka pasur shtrirje të bizneseve kosovare në këto vende. Mos të çuditemi që një ditë një pjesë e madhe e bizneseve prodhuese të vendit do të zhvendosen në vende si Shkupi apo Kukësi, meqenëse janë në distancë shumë të afërt gjeografike me Kosovën. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor tregtojnë pa doganë me njëra-tjetrën, që do të thotë se mallrat që dikur prodhoheshin në Kosovë mund të prodhohen në Kukës apo në Shkup dhe të futen në tregun e Kosovës pa iu nënshtruar detyrimeve doganore. Por ajo që humbet Kosova është shumë më e madhe. Do të mbylleshin vendet e punës, një pjesë e madhe e tatimit në fitim që sot gjenerohet nga këto kompani prodhuese nuk do të vazhdonte t’i paguhej buxhetit të vendit dhe kjo do të çonte në përkeqësim të aspektit socio-ekonomik”, tha ai për Ekonomia Online.

Ai shprehu shpresën që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale, të cilat do të shtyjnë përpara reformat ekonomike dhe projektet infrastrukturore.

“Prandaj uroj që shumë shpejt të kemi institucione funksionale, të kemi një Kuvend që do të arrijë të shtyjë përpara reformat ekonomike dhe një qeverisje pak më pak populiste, e cila kupton se cilat janë aspektet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe që nuk bazohen vetëm në shpërndarjen e ndihmës sociale. Ka një numër të madh të projekteve infrastrukturore të cilat nuk po arrijnë të përfundohen në këtë pesë-gjashtëvjeçarin e fundit dhe besoj që aty duhet të jetë fokusi më i madh”, tha Zeka.

Ai shtoi se përgjegjësia për krijimin e institucioneve funksionale bie mbi partinë me numrin më të madh të votave, duke theksuar se nevojitet kompromis politik.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në periudhën prej çlirimit e tutje, në këto 27 vite si shtet i lirë, dhe një pjesë e mësimeve të mira të gjeneruara gjatë këtyre viteve duhet të replikohen edhe në periudhën në vijim. Uroj të kemi qeveri funksionale dhe institucione me mandat të plotë, jo ushtrues detyre. Këtu nevojitet konsensus dhe gatishmëri për kompromis. Përgjegjësia rëndon mbi partinë që ka numrin më të madh të votave, sepse sa më e madhe fuqia, aq më e madhe është edhe përgjegjësia, përfshirë edhe përgjegjësinë për bashkëpunim”, tha Zeka.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Hamza pas takimit me Kurtin: Së pari ndryshimi i Ligjit për Specialen, pastaj presidenti

Hamza pas takimit me Kurtin: Së pari ndryshimi i Ligjit për Specialen, pastaj presidenti

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Shkarkohet Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

Kurti priti në takim Hofreiter, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

FSK trajnon instruktorët për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

KDI: Ushtrimi i detyrës së Presidentit nuk mund të zgjasë përtej gjashtë muajve, kërkohet sqarim nga Kushtetuesja

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Nesër protestohet edhe në Malmo kundër dënimit të çlirimtarëve

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Edi Rama për arrestimet e zyrtarëve: Sistemi tani lufton kundër korrupsionit

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Haxhiu shqyrton mundësinë t’i drejtohet Kushtetueses për mandatin si Ushtruese e Detyrës së Presidentes

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Vitia: Avastina do të jetë shumë shpejt në Kosovë

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Kurti publikon foton me Presidentin Trump: E falënderova për investimet në mbrojtje

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Orët e fundit për marrëveshje, Kurti e Hamza takohen sot, Specialja dhe Presidenti në tavolinë

Haradinaj me urim të veçantë për 65-vjetorin e Ahmet Isufit: “Faleminderit, Komandant, për shërbimin ndaj Atdheut!”

Haradinaj me urim të veçantë për 65-vjetorin e Ahmet Isufit: “Faleminderit, Komandant, për shërbimin ndaj Atdheut!”

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Rama: Qeveria po tenton ta bllokojë Tulltoren, njëjtë siç veproi me pronën për Universitetin

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Kurti dhe Prattipati diskutojnë zhvillimet e fundit politike

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Netanyahu thotë se sulmuesi në avion “iu nënshtrua indoktrinimit radikal islamist”

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje

Haxhiu: Partitë të heqin dorë nga përpjekjet për ta çuar vendin në zgjedhje