Zafir Berisha decertifikohet nga gara, shkak se kishte vjedhur rrymën

E publikuar: 11/09/2017 15:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror Zgjedhor ka vendosur që kandidati i NSIMA’s për kryetar të Prizrenit të mos mund të garojë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. E kjo për shkak se deputeti i Kuvendit të Kosovës është i dënuar me gjobë për vjedhje të rrymës.

Vetë Zafir Berisha, ka thënë se nuk ka informacion zyrtar nga KQZ-ja që është diskualifikuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Derisa i njëjti për Insajderin ka konfirmuar se është i dënuar se ka vjedhur rrymën në lokalin ku ushtron një biznes të tij në Prizren.

“Nuk jam i njoftuar për këtë punë, e di që bëhet fjalë për 140 euro për një dënim të KEK-ut. Por ende nuk kam informatë zyrtare”, citohet të ketë thënë Berisha.

Ai ka bërë të ditur se gjykata që e kishte shpallur fajtor për lidhje ilegale të rrymës në biznesin e tij e kishte dënuar atë me vetëm 140 euro gjobë.

Për këtë vendim Berisha ka thënë se është ankuar në Gjykatën e Apelit, por që nuk di më shumë rreth lëndës.

“Gjykata më ka shpallë fajtor, unë jam ankuar në Gjykatën e Apelit, sepse nuk mu ka dok normale ajo. Kjo ka të bëjë lidhur me biznesin tim të cilin që 9 vjet e menaxhoj. Normalisht jam pronar i objektit. Kam bërë ankesë dhe e kam lënë këtë punë si diçka dytësore”, ka shtuar më tej bërisha për Insajderin.

Sipas Berishës, krejt kjo propagandë po bëhet për ta eliminuar nga gara politike.

“Nuk e di nëse është vepër e rëndë penale, por para tre muajsh me këto ligje kam qenë në zgjedhjet parlamentare. Kjo ka të bëjë që, me çdo kusht eliminimin nga gara për t’jua liruar bandave me e marrë Prizrenin”, ka thënë tutje Berisha për Insajderin.

Ndryshe, Drejtori i ‘Demokraci Plus’, Valmir Ismaili, ka dhënë lajmin se Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, është decertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Ismaili, i cili monitoron punën e KQZ-së, ka thënë se kjo është bazuar në një vendim të tetorit të vitit 2015.

“Zafir Berisha decertifikohet nga KQZ, bazuar në një vendim përfundimtar të datës 12.10.2015. Mirë që u decertifiku, por ku ka qenë ky vendim më herët për zgjedhje qendrore?”, ka shkruar Ismaili në Facebook.