VV, AAK dhe Nisma kundër dërgimit të demarkacionit në Kuvend

E publikuar: 15/01/2018 11:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike, po mban mbledhjen ku po shqyrtohet projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Zafir Berisha i Nismës ka thënë se komisioni tashmë ka kaluar kompetencat e veta dhe i ka kërkuar që të rekomandojnë votë kundër.

“Kjo temë është trajtuar aq shumë sa është vërtetuar se komisioni Meha ka kaluar kompetencat. Unë propozoj që komisioni të rekomandoj votë kundër në seancë”, tha ai, raporton KTV.

Ndërkaq Visar Ymer ka përkrahur mendimin për mos ratifikim të marrëveshjes.

“Edhe unë e përkrahi propozimin për mos ratifikim të marrëveshjes. Për mua është e qartë se ka pasur shkelje dhe marrëveshja nuk është në përputhje me interesin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Doruntinë Maloku nga LDK tha se nuk duhet të ketë fare rekomandim.

“Ne duhet t’ia procedojmë kryesisë pa rekomandim kur ta shohim se po hetohet edhe nga prokuroria. Unë jam që të mos ketë rekomandim”, tha ajo.

E të njëjtit mendim si Ymeri e Berisha është edhe Time Kadriaj e AAK-së.

“Unë mendoj njëjtë si Visar Ymeri e Zafir Berisha”, tha ajo.

Elmi Reçica ng PDK, ka thënë se komisioni Meha nuk ka sjellë asnjë të re. Ka thënë se tani duhet të vendos kryesia.

“Sa kemi pa në raportimin e fundit komisioni i ri nuk ka sjellë fakte siç kanë trumbetuar. Në këtë situatë është që të votoheshin rekomandimet që të votohet marrëveshja. Por meqë nuk kemi pajtueshmëri më mirë është të shkohet në kryesi e të vendosë kryesia”, tha ai.

Aida Dërguti nga VV përkrah mendimet e Ymerit e Berishës.

“Kjo çështje që është diskutuar shumë gjatë e keni të qarë se të gjithë keni qëndrim rreth kësaj. Do të duhej të shkonte me rekomandim në kryesi. Është e qartë se komisioni Meha ka kalu kompetencat”, tha ajo.

Vjosa Osmani e LDK-së, tha se gjithçka duhet sqaruar nga prokuroria, nëse ka pasë apo jo falsifikime të hartave.

“Po flas sa i përket çështjes së hetimeve e prokurorisë. Nëse prokuroria sqaron se nuk ka pasur falsifikim dihet se cili raport bie poshtë. Pra gjithçka do të sqarohet nga prokuroria nëse ka pasur ose jo falsifikim të hartave. Unë kam shpresa që mund të ketë përgjigje para se marrëveshja të diskutohet në Kuvend”, tha ajo.

Pas shqyrtimit nga ky komision, marrëveshja proceduralisht duhet të shkojë në Kryesinë e Kuvendit si propozim për të hyrë në rend dite në seancë plenare dhe pas shqyrtimit Kryesia vendos se në cilën seancë e fut në rend dite Marrëveshjen për Demarkacion.

Kujtojmë që kjo marrëveshje bashkë me raportin e ri të Komisionit Shtetëror, në krye me Shpejtim Bulliqin u dërgua në Kuvend në fillim të muajit dhjetor./koha.net/