Vuçiq përshëndet qëndrimin e Erdoganit për Shqipërinë e Madhe

E publikuar: 21/06/2017 00:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sonte se frikohet se Serbia nuk është e gatshme për ndryshime kushtetuese.
“Nuk duhet hyrë në procesin e ndryshimit të Kushtetutës nëse nuk jemi në gjendje të merremi vesh se si ky akt do të duket gjatë 30 ose 50 vjetëve të ardhshëm”, ka thënë për rts Vuçiq.

Në preambulën e Kushtetutës serbe Kosova përshkruhet si pjesë përbërëse Serbisë.

Vuçiq për televizionin publik serb ka folur edhe për dialogun me Kosovën.

“Cilado shumicë të jetë në Prishtinë, s’kemi për të qenë shumë të lumtur, porse dialogu duhet të vazhdojë për shkak të ekzistencës dhe sigurisë së serbëve”, ka thënë ai, duke shtuar se “Beogradi edhe në të ardhmen do të thirret në Marrëveshjen e Brukselit e shqiptarët do ta refuzojnë ta zbatojnë atë”, transmeton koha.net.

Ai ka treguar se Lista Srpska tregoi se mund të marrë 6 për qind të votave dhe se gjithnjë e më shumë fëmijë serbë po lindin në Kosovë.

Vuçiq ka falënderuar qëndrimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se “është kundër krijimit të Shqipërisë së madhe”.

“I jam shumë falënderues presidentit turk. Në fillim të korrikut shkoj në një konferencë të madhe në Turqi dhe atje do të takohem me të e me presidentin rus, Vladimir Putin. Është me rëndësi të kemi marrëdhëniet të mira me Turqinë”, ka thënë ai, duke shtuar se pas kësaj Erdogan me dy avionë me biznesmenë do të shkojë në Beograd.

Presidenti serb më 17 korrik takohet me nënpresidentin e SHBA’së, Mike Pence.