Vuçiq nuk i drejtohet sonte popullit serb, e shtynë pas takimit me Kurtin në Berlin

E publikuar: 29/04/2022 20:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vucic

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do t’i presë në 4 maj në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kreun e shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, ku do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, i cili do të takohet me Kurtin dhe Vuçiqin në mbrëmje.

Në anën tjetër, mediat serbe sapo raportuan se si pasojë e këtij takimi, që do të zhvillohet më 4 maj, presidenti serb e ka shtyrë adresimin e tij para popullit që ishte paraparë për sonte. Adresimi do të bëhet, pas takimit me kancelarin gjerman dhe Kurtin në Berlin.

“Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë vendim që ta shtyjë adresimin e tij para popullit për shtatë ditë. Adresimi do të bëhet më 6 maj, 2022, në ora 18:00”, është thënë në njoftimin e Presidencës Serbe.

Sipas Qeverisë gjermane, bisedimet do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE.

Pjesë e takimit në Berlin, të mërkurën, do të jetë edhe ndërmjetësi i BE-së, Mirosllav Lajçak.