Vizitat sekrete: Si e kishte përgatitur terrenin për Minishengenin Alexander Soros

E publikuar: 25/12/2019 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Alexander Soros, djali i miliarderit George Soros muajt e fundit kishte intensifikuar vizitat në rajon duke shkuar në Shqipëri, Maqedoni të Veriut e Serbi, vende këto në të cilat deri tani janë mbajtur Samitet për jetësimin e projektit të ashtuquajtur minishengen. Gjatë këtyre vizitave ai ishte takuar me krerët shtetëror, të cilët menjëherë ishin aktivizuar për fillimin e përpjekjeve për projektin. Pas vizitës në Tiranë dhe takimit me Edi Ramën, në Novi Sad ishte mbajtur takimi i parë për Minishengenin. Më pas Soros kishte vizituar Ohrin pikërisht në ditën kur Rama-Vuçiq e Zaev ishin mbledhur për takimin e radhës, ndërkohë pak para organizimit të Samitit në Shqipëri, Soros kishte vizituar Beogradin zyrtar, duke pasur kështu nën kontroll të gjitha zhvillimet rreth kësaj iniciative që po e refuzon Kosova.

Gazeta Express

Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, vetëm tri shtete e kanë marrë më yrysh krijimin e të ashtuquajturit projekt për Minishengen. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Një nismë e tillë është përcjellë me refuzim të Bosnje Hercegovinës dyshime të Malit të Zi, ndërkohë Kosova e ka injoruar plotësisht.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përkrahur deklarativisht, ndërkohë kreu i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borell, nuk ka marrë pjesë në takimin e fundit të mbajtur në Tiranë. Është interesante që në Kosovë kjo nismë mbështete ose ka mirëkuptim për të vetëm nga segmente që kanë mbështetje financiare nga fondacionet e Soros.

Por kush qëndron prapa një iniciative të tillë dhe pse Edi Rama dhe Aleksander Vuçiq janë duke e shtyrë përpara krijimin e një projekti të tillë.

Gazeta Express ka publikuar dje pjesë të një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës në të cilën tregohet se projekti i ashtuquajtur Minishengen është iniciuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur i miliarderit Geroge Soros. Një ide të tillë në letër e ka hedhur ish-zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ndërkohë në terren e ka shtyrë Alexander Soros, djali i miliarderit të famshëm i cili kishte realizuar edhe vizita sekrete në rajon.

Alexander Soros me 28 gusht të këtij viti kishte vizituar Shqipërinë dhe ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Në përshkrimin e një fotografie ku shihet bashkë me kryeministrin shqiptar, Soros kishte folur për të ardhmen e rajonit, bashkëpunimin, avancimin dhe rritjen ekonomike, gjëra të cilat po pretendohet të bëhen pikërisht përmes idesë së ashtuquajtur Minishengen.