Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, është parë me veturën e tij të tipit “Audi A4” duke bërë një tejkalim të rrezikshëm në rrugën qarkore në Gjilan.
Në video, Hyseni tejkalon veturat përpara tij me një shpejtësi të madhe.
Gazeta Insajderi muaj më parë ka raportuar për veturën e njëjtë, me markë ‘Audi’ dhe model ‘A4’, e cila është duke u përdorur për nevoja të Alban Hysenit, është në pronësi të familjarëve të Labinot Grudës, të dënuarit për rastin e 2.1 milionëshit në Thesarin e Shtetit.
Makina e konfiskuar, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit, figuron në emër të bashkëshortes së Grudës.
“Vetura, në bazë të Aktgjykimit me numër; PS.nr.43/21, të datës; 30.01.2023, dhe Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit; APS. nr.19/2023, të datës; 29.06.2023, është KONFISKUAR. Në bazë të kërkesës së kryetarit të Komunës së Gjilanit, Vetura Audi A4, ngjyrë hiri, i është dorëzuar në shfrytëzim Komunës së Gjilanit, me datë; 07.07.2023”, thuhet në përgjigjen e AAPSK-së.


















